Italia dhe Austria të lidhura me hekurudha, tuneli Bazë i Brennerit një hap më pranë përfundimit

Projekti i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian, Tuneli Bazë i Brennerit (Brenner Base Tunnel – BBT), një lidhje hekurudhore nëntokësore, ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme. Komisioni Europian njoftoi se minatorët kanë lidhur tashmë Austrinë dhe Italinë përmes dy tuneleve kryesore hekurudhore, duke e afruar projektin drejt përfundimit.
Deri më tani janë gërmuar mbi 220 kilometra tunele, ndërsa përfundimi i plotë i projektit është planifikuar për vitin 2032.
Sipas Komisionit Europian, Tuneli Bazë i Brennerit do të përmirësojë ndërlidhjen mes Italisë dhe Austrisë, duke forcuar transportin hekurudhor ndërmjet Evropës Veriore dhe Jugore. Projekti konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore të Bashkimit Europian dhe një shembull i bashkëpunimit europian në fushën e inxhinierisë dhe transportit.
“Italia dhe Austria të bashkuara nën Alpe. Me mbi 220 kilometra tunel të gërmuar, përfundimi i Tunelit Bazë të Brennerit – i bashkëfinancuar nga BE-ja – është një hap më pranë! Minatorët tashmë kanë lidhur Austrinë dhe Italinë përmes dy tuneleve kryesore hekurudhore. Pas përfundimit në vitin 2032, BBT-ja do t’i lidhë më mirë Italinë dhe Austrinë, duke nxitur njëkohësisht transportin hekurudhor midis Evropës veriore dhe asaj jugore. Ky është shembulli më i mirë i bashkëpunimit dhe inxhinierisë së BE-së”, shkruan Komisioni Europian.
I vendosur në zemër të Alpeve, midis Italisë dhe Austrisë, Tuneli Bazë i Brennerit, 55 km i gjatë, është një nga projektet hekurudhore më të rëndësishme të Evropës.
/rtsh.al/