Italia fiton President, por mbetet pa qeveri
Kriza
Fillojnë diskutimet për një koalicion të gjerë pas muajsh bllokimi politik
Pas disa raundesh të vështira zgjedhjesh, shtohen sinjalet për një koalicion midis partive më të mëdha. Në Romë protestojnë jo vetëm simpatizantë të Lëvizjes Pesë Yjet.
“Tutti a casa” (Të gjithë në shtëpi), bërtasin demonstruesit para Parlamentit në Romë dhe ngrenë lart grushtet. Të zë syri shumë fytyra të reja, familje. Janë simpatizantë të zemëruar, zgjedhës dhe anëtarë të Lëvizjes Pesë Yjet të ish-komedianit Beppe Grillo. Por jo vetëm ata. Edhe mbështetës të zhgënjyer nga Partia e tyre Demokratike (PD) shprehin zhgënjimin para godinës së Parlamentit. “Tradhtar” i thërrasin ata Pierluigi Bersani-t, i cili dha dorëheqjen nga posti i sekretarit të partisë. Ai e tradhtoi dëshirën e zgjedhësve për ndryshim, thotë Pino Crasto, dhe thotë se në zgjedhjet e ardhshme do të votojë për Beppe Grillo-n.
Zhurmaxhiu i bezdisshëm politik Grillo, i cili krahas Berluskonit që arriti ta përçajë kampin e majtë politik, është fitimtari pas raundeve të vështira të zgjedhjeve për postin e Presidentit të shtetit. Lëvizja Pesë Yjet votoi në të gjashtë raundet e zgjedhjes për kandidatin e saj, profesorin e drejtësisë Stefano Rodota. Në mënyrë transparente dhe konsekuente. Krejt ndryshe vepruan deputetët e PD-së. Kaq shumë prej tyre nuk pranuan ta ndjekin pas sekretarin e partisë së tyre, duke bërë që kandidati i tij të dështojë në mënyrë qesharake. PD-ja nuk ekziston më, deklaruan shumë deputetë pas tërheqjes së kandidaturës së ish-kryeministrit Romano Prodi. Së fundi, Bersani-t iu desh të bjerë dakord me Montin dhe Berluskonin për ta rizgjedhur në post 87-vjeçarin Giorgio Napolitano, që të dilte fitimtar një kandidat.
Napolitano nuk ishte i fiksuar për një mandat të dytë, këtë ai e pati thënë disa herë. Ai “nuk mundi t’i shpëtonte përgjegjësisë”, sepse me sa duket vetëm në këtë mënyrë hapet rruga për krijimin e qeverisë. Gazetat italiane shkruajnë se Napolitano, para se të vendoste kandidaturën, mori siguri nga Bersani, Monti dhe Berluskoni se do të krijojnë një koalicion. Sepse Bersani pati deklaruar pas fitores në zgjedhje, ku nuk siguroi dot shumicën e votave, se në asnjë rast nuk do të pranonte në qeveri partinë e Berluskonit, PDL. Por pa Berluskonin nuk bëhet, sepse deputetët e Lëvizjes Pesë Yje, pas Jo-së së udhëheqjes së PD-së për kandidatin e tyre, Stefano Rodota, kalojnë edhe më të bindur në opozitë.
Italia fiton President, por mbetet pa qeveri burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email