Kriza redukton popullsinë e Spanjës
Statistikat
Emigrantët largohen, rritja e popullatës vendase nuk kompenson dot të ikurit
Popullata zyrtare në Spanjë ra gjatë vitit të kaluar për herë të parë që nga koha kur filloi të mbahej regjistri civil, për shkak se emigrantët u larguan në numra të mëdhenj nga recesioni i ashpër pesëvjeçar dhe papunësia në rritje të shpejtë.
Numri i banorëve rezidentë ra me 206 000 në 47.1 milionë banorë, njoftoi Instituti Kombëtar i Statistikave të hënën, një rënie që u shkaktua tërësisht nga ulja e numrit të shtetasve të huaj që banojnë në mënyrë të ligjshme në këtë vend.
Kjo është hera e parë që ka pasur rënie të popullsisë që nga viti 1857, kur filloi të mbahej një statistikë e tillë, megjithëse deri në vitin 1998 shifrat publikoheshin çdo dhjetë vjet dhe se këtu nuk përfshihen vitet e luftërave.
Spanja dhe pjesa tjetër e Europës Jugore po vuan krizë të dyfishtë ekonomike dhe fiskale. Gjatë një bumi ekonomik, që mbaroi papritur më 2008-n, emigrantët spanjishtfolës nga Ekuadori, Kolumbia dhe Bolivia vinin në Spanjë për të punuar në ndërtim. Mes viteve 2000 dhe 2010, popullata e emigrantëve u rrit nga 924 mijë në 5.7 milionë.
Por ndërtimi u bllokua si sektor që kur shpërtheu flluska e shtëpive dhe një bllokim i shpenzimeve nga qeveria në përpjekje për të reduktuar deficitin e dëmtuan më tej ekonominë. Ndërsa papunësia u rrit në 26 për qind të forcës së punës, shumë emigrantë u kthyen në shtëpi.
Rënia më e madhe mes banorëve të huaj të regjistruar shikohet mes amerikanojugorëve, veçanërisht ekuadorianëve dhe kolumbianëve, tregojnë statistikat.
Ka pasur një rritje të jashtëzakonshme në numrin e emigrantëve nga viti 2000 deri më 2009-n, e cila po përmbyset shpejt si pasojë e krizës ekonomike, komentoi demografi Albert Esteve nga Qendra e Barcelonës për Studime Demografike. Spanja është më pak tërheqëse, për shkak se nuk ka vende pune.
Dy grupet më të mëdha të emigrantëve të huaj në Spanjë, rumunët dhe marokenët, u reduktuan gjatë vitit të kaluar. Dhe jo vetëm emigrantët po kthehen në shtëpi; shumë spanjollë po largohen gjithashtu për të punuar jashtë vendit. Papunësia mes të rinjve është mbi 50 për qind.
Popullata vendase e spanjollëve u rrit vitin e kaluar me 10 mijë vetë, një rritje shumë më e vogël sesa në vitet e shkuara dhe që nuk ngriti shumë peshë në rënien me 216 mijë në numrin e të huajve të regjistruar.
Kriza redukton popullsinë e Spanjës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email