E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia kthen të gjithë shqiptarët me ekspulsion



DURRËS – Me dhjetëra shqiptarë që kanë marrë “ekspulsion” në Italia janë kthyer nga autoritetet e shtetit fqinj kur kanë tentuar të hyjnë në territorin e tyre me hyrjen në fuqi të regjimit të ri të lëvizjes në zonën “Shengen”. Ky fakt është bërë i ditur nga autoritetet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit, të cilat kanë bërë të ditur dje statistikat e personave të kthyer nga autoritetet kufitare italiane. Vetëm gjatë tri ditëve të fundit janë rikthyer 73 persona. Mes listës së personave që nuk janë lejuar që të futen në Itali janë edhe shtetasit që nuk kanë ofruar garanci financiare për qëndrimin në këtë shtet të zonës “Shengen”, apo nuk kanë pasur ftesa zyrtare.

Ekspulsion
Megjithëse janë paralajmëruar se nuk do të lejohen që të hyjnë në zonën “Shengen”, shumë shqiptarë, të cilëve u është hequr e drejta e qëndrimit në vendet e BE-së, kanë tentuar sërish që të futen në zonën “Shengen”. Por, të gjitha tentativat kanë dështuar. Me hyrjen në fuqi të regjimit të lëvizjes pa viza në shtetet e Shengenit, edhe personat që kanë pasur probleme në vende të tilla si Italia, apo Greqia, janë përpjekur që të hyjnë sërish në vendet që kanë emigruar më parë. Faktet që sjellin burimet policore në Durrës e tregojnë një gjë të tillë. “Më datë 17.12.2010 janë kthyer në kufirin italian, pasi kanë rezultuar të regjistruar me dekret ‘ekspulsioni’ 11 shtetas”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së qarkut Durrës. Po ashtu, më datë 18 dhjetor janë kthyer nga autoritetet italiane 44 shtetas të kategorisë INAD, nga të cilët 6 nuk dispononin vlera të mjaftueshme monetare dhe 38 me dekret “ekspulsioni”. Ndërsa dy ditë më parë u kthyen në Portin e Durrësit 27 shtetas të kategorisë INAD, nga të cilët 1 për shkak të vlerës monetare të pamjaftueshme, 3 veta për mungesë ftese pritësi dhe pjesa tjetër me dekret ekspulsioni”, - thonë burimet policore.

Kushtet
Ministria e Brendshme, por edhe institucionet e tjera, kanë nisur një fushatë ku kanë përcaktuar kriteret për të lëvizur në zonën “Shengen”. Personat që udhëtojnë duhet të kenë një pasaportë biometrike, të kenë mbështetje financiare, të presin biletën vajtje-ardhje për kohën e qëndrimit 90 ditë brenda 6 muajve dhe të kenë paguar siguracionin shëndetësor për ditët e qëndrimit (për më shumë, shih kushtet). Shtete të ndryshme në Shengen ndjekim procedura të ndryshme përsa i përket shumës financiare që duhet të kenë personat që udhëtojnë pa viza. Por, rastet e fundit në Portin e Durrësit rikthejnë vëmendjen se nuk lejohet udhëtimi për të gjithë ata persona që kanë një vendim nga autoritetet përkatëse për të mos qëndruar në shtetet e tyre.

STATISTIKAT
Të kthyerit me ekspulsion

11 shtetas më 17 dhjetor
38 shtetas më 18 dhjetor
23 shtetas më 19 dhjetor

BOX 2

Çfarë duhet paraqitur në kontrollin kufitar, me kërkesë të punonjësit përkatës, në rast udhëtimi pa detyrim vize?

Në rastin e udhëtimit pa detyrimin e vizës, kur kërkohet prej punonjësve të kontrollit të kufirit duhen paraqitur dëshmi të financimit të qëndrimit dhe të udhëtimit, si dhe dëshmi të qëllimit të udhëtimit.
Të tilla mund të jenë për shembull: lidhur me qëllimin e udhëtimit:
- në rast turizmi: rezervimet e hotelit dhe të udhëtimit;
- në rast biznesi: konfirmimi nga firma, ftesa për në konferencë, seminar apo takimin me partnerë në biznes etj.;
- në rast vizite: ftesë nga miqtë/të afërmit;
- udhëtime të tjera: konfirmimet prej organizatorëve të kursit të gjuhës, shkollave apo organizatave përkatëse.

Lidhur me financimin:
1) mjete të mjaftueshme financiare për qëndrimin: CASH, karta krediti apo çeqe udhëtimi, ose deklaratë garancie. Deklaratat e garancisë në përputhje me paragrafët § 66, bis 68 të ligjit për qëndrimin e të huajve mund të lëshohen nga ftuesit vetëm pranë zyrave të të huajve dhe duhen paraqitur në origjinal në momentin e hyrjes në hapësirën “Shengen”.

2) Siguracion shëndeti (mbulimi minimal 30 euro, i vlefshëm në të gjitha shtetet e Shengenit)

3) Bileta vajtje-ardhje e fluturimit (brenda 90 ditëshit të qëndrimit)

4) Pasaportë e vlefshme (pasaporta në momentin e kthimit duhet të jetë e vlefshme edhe për 3 muajt vijues)
Këto dokumente duhen paraqitur në rast se kjo kërkohet në çastin e hyrjes në territorin e shteteve anëtare të Marrëveshjes së Shengenit (pra, në të ashtuquajturin kufi të jashtëm të Shengenit). Sjellim në vëmendje se një shtetas i huaj mund të kthehet në kufi (në momentin e hyrjes), nëse ai nuk disponon mjetet e nevojshme financiare për qëndrimin e tij përkatësisht nëse nuk mund t'i fitojë ato në mënyrë të ligjshme apo nëse nuk mund të dëshmojë kthimin në shtetin e origjinës apo në një shtet të tretë, për të cilin ai zotëron një leje qëndrimi të vlefshme, që i lejon kthimin në këtë shtet (për shembull biletë fluturimi). E njëjta gjë vlen nëse ai nuk mund të paraqesë dokumentet që provojnë qëllimin dhe rrethanat e qëndrimit të tij.
Një qëndrim pa vizë në zonën “Shengen” është i mundshëm për jo më shumë se 90 ditë brenda një periudhe prej gjashtë muajsh, llogaritur kjo që prej ditës së parë të hyrjes në zonën “Shengen”.

Pasaportat biometrike, radhë të gjata në sportelet e Policisë së Tiranës

TIRANË - Në Drejtorinë e Policisë të qarkut të Tiranës, aty ku janë instaluar 6 sportele për të gjithë personat që kanë aplikuar në njësitë e tyre bashkiake për pasaportë dhe që pas 40 ditësh duhet ta tërheqin atë, prej ditësh janë krijuar radhë të gjata. Qytetarët shprehen se shpesh janë detyruar të rrinë me orë të tëra në pritje dhe shumë prej tyre marrin përgjigje negative. Sipas autoriteteve policore, ka fluks aplikimesh dhe jo të gjitha pasaportat biometrike dalin në afatin e caktuar. Disa prej qytetarëve thonë se për shkak të vonesës u është dashur të shtyjnë edhe udhëtimet që kanë planifikuar si dhe kanë “djegur” biletën e udhëtimit. “M’u desh të shtyja udhëtimin. Me idenë se duhet ta kisha marrë para një jave pasaportën preva dhe biletën. Ka disa ditë që vij këtu, të premten më thanë se nuk kishte dalë akoma pasaporta ime, edhe pse unë kam më shumë se 40 ditë që kam kryer aplikimin. Sot kam që në orën 9:00 që ri këtu, ndërkohë që ora po shkon 14:00. Radhët ishin deri në oborr, as informacion nëse ka ardhur pasaporta këtu apo jo nuk më japin”, - u shpreh një zonjë nga zona e Alliasit. Sipas qytetarëve, shkak për këtë amulli është mungesa e sporteleve. Në Drejtorinë e Policisë ishin vetëm 6 sportele për të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës, të pamjaftueshme duke pasur parasysh kërkesat në rritje të ditëve të fundit për shkak të lëvizjes së lirë.

Zvicra vë testin e gjuhës për ata që duan leje qëndrimi

ZVICËR - Të huajt që dëshirojnë të jetojnë në Zvicër, së pari duhet të dëshmojnë njohje solide të gjuhëve nacionale të këtij vendi. Kështu kërkon SVP-ja në një iniciativë popullore, të cilën është duke e përgatitur për një referendum që do të mbahet vitin e ardhshëm, njofton “20 Minuten”. Iniciativa, sipas nismëtarit të SVP-së, Christoph Blocher, në intervistën e tij të dhënë gazetës “Sonntags Zeitung”, parasheh një test të obligueshëm të gjuhës për të gjithë ata që pretendojnë të jetojnë dhe të punojnë në Zvicër. Testin ata do ta bëjnë në ndonjërën nga ambasadat e Zvicrës në vendet përkatëse, pra para se të vijnë në Zvicër. Ndërkaq, të huajt nuk do të mbeten pa u shqetësuar edhe pas ardhjes në Zvicër. Për të vazhduar qëndrimin në këtë vend, ata, pas një kohe, do t`i nënshtrohen një testi më të vështirë. Sipas Blocher-it, kjo procedurë do t`i sillte Zvicrës një sërë të mirash: “Më pak probleme në shkolla, më pak kriminelë, më pak të huaj pa letra, më pak probleme me integrimin dhe më pak ngarkesë për sistemin social”.

21 Dhjetor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›