E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, vonohen pagesat, nisin penalizimet



Anilejda Shëmbitraku

Burime nga Drejtoria qendrore e ALUIZNI-t kanë bërë të ditur për gazetën “Albania” se një pjesë e madhe e qytetarëve, të cilët kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore për kthimin e objektit informal në pronën e tyre, rrezikojnë të penalizohen. Kjo, sipas tyre, do të ndodhë për shkak të mospagimit të faturave financiare brenda afateve të përcaktuara në ligj. Sipas burimeve nga ALUIZNI mësohet se vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve kanë tërhequr faturat e ndërtimeve informale. Mungesa e bashkëpunimit të qytetarëve vë në rrezik përfundimin e këtij procesi brenda vitit 2011, ashtu siç ishte paralajmëruar nga qeveria.
Taksa
Pagesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet: në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë, në proces legalizimi; me bono privatizimi, në përputhje me dispozitat e neneve 19, 20 e 21, të ligjit. Bonot e privatizimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit që janë në proces legalizimi. Bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është ulur në masën 0.5% të vlerës së banesës për legalizim. Taksa e ndikimit në infrastrukturë për Tiranën ishte 3-4 për qind e vlerës së investimit, ndërsa tani është bërë 0.5 për qind e vlerës së investimit. Për rrethet, taksa e ndikimit në infrastrukturë ishte 1-3% e vlerës së investimit, ndërsa tani është bërë 0.5% e vlerës së investimit. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë bëhen vetëm në lekë.

Detyrimi
Qytetarët duhet të shlyejnë brenda vitit detyrimet e tyre për të bërë legalizimin e banesave informale. Në rast të kundërt do të penalizohen. Sipas burimeve nga ALUIZNI, është e nevojshme që qytetarët të respektojnë afatet ligjore për të marrë në dorë tapinë e shtëpisë së tyre. Çdo qytetar që jeton në një zonë me ndërtime informale duhet të bëjë gati faturën e pagesës për ndërtesën e tij, në të kundërt do të penalizohet. Brenda një viti pasi ALUIZNI ka plotësuar dosjen e tij, pas matjeve dhe verifikimeve përkatëse, duhet të shlyhet dhe detyrimi. Ndërkohë që lejohet dhe një muaj shtesë për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Penalizmi për të gjithë qytetarët që nuk paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë është 25 për qind e detyrimit, ndërkohë që penalizmi për shlyerjen e detyrimit të legalizimit do të përcaktohet në bazë të vlerës që çdo qytetar do të paguajë.

Procedura
Çdo qytetar fiton të drejtën për të marrë tapinë e shtëpisë së tij pasi ka shlyer detyrimet ndaj shtetit. Procedura ka nisur me matjet dhe verifikimet e bëra nga ALUIZNI dhe përgatitja e një dosjeje të plotë për çdo qytetar. Më pas, me ligjin e ri për pagesën me bono privatizimi, kësaj dosjeje i shtohet dhe kërkesa e bërë nga vetë qytetarët për mënyrën se si duan të bëjnë pagesë. Ata kanë të drejtë që deri në 80% të vlerës ta paguajnë me bono. Gjithashtu, dy fatura të tjera në dosjen përkatëse janë dhe taksa për ndikimin në infrastrukturë, e cila është vetëm 0.5 për qind e çmimit bazë të vendosur nga Enti i Banesave, rreth 140 lekë, si dhe një tjetër faturë që përcakton një tarifë fikse për shërbimin prej 4 mijë lekësh për çdo kat të ndërtimit informal. Të gjitha këto dokumente, me shkresën zyrtare të ALUIZNI-t, u mundësojnë qytetarëve që të paraqiten në bankën përkatëse për të bërë pagesë.

PËRJASHTIMET
Ndërtimet informale që nuk legalizohen

Nuk kualifikohet për legalizim objekti i ndërtuar pa leje ose shtesa e sipërfaqes tej lejes së miratuar që:
1- Cenon sistemin rrugor dhe hekurudhor, kombëtar e rajonal, si dhe brezat mbrojtës të tyre, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues apo studime të çdo niveli, të miratuar a në proces.
2- Shkel vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanistike apo projektet e veçanta për infrastrukturën rrugore të çdo niveli.
3- Cenon integritetin e monumenteve të kulturës.
4- Është ngritur mbi/ose brenda brezit mbrojtës të kolektorit, digës, ose aeroportit.
5- Cenon trungun kryesor të infrastrukturës inxhinierike;
6- është ngritur brenda territoreve dhe kufirit mbrojtës të zonave të mbrojtura, me akte ligjore dhe nënligjore.
7- Cenon sistemet dhe brezat mbrojtëse të kanaleve kulluese dhe ujitëse.
8- Është ngritur brenda kufirit mbrojtës të burimeve natyrore, si naftë e gazmbajtëse, burimeve minerare, energjetike, burimeve e rezervave ujore etj.

80%
të vlerës së të gjithë sipërfaqes që i takon në përputhje me ligjin do ta paguajnë me letra me vlerë

0.5%
e vlerës së banesës për legalizimin është taksa e infrastrukturës

50%
e sipërfaqeve jashtëligjore, që ligji e parashikon me vlerë tregu, do të paguhen me letra me vlerë. Ky vendim u miratua dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

Neni 19
Çmimi i shitjes në zonat informale
Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi është si më poshtë:
a) për sipërfaqe deri në 100 m², 100 mijë lekë;
b) për sipërfaqe deri në 200 m², 150 mijë lekë;
c) për sipërfaqe deri në 300 m², 200 mijë lekë;
ç) për sipërfaqe deri në 400 m², 300 mijë lekë;
d) për sipërfaqe deri në 500 m², 400 mijë lekë;
dh) për sipërfaqe mbi 500 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë dhe deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi. Kur ndërtimi pa leje ka destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.

21 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›