Italia kujton djaloshin e artë

Italia, por edhe mbarë bota sportive shprehu ngushëllimet për vdekjen tragjike të mesfushorit të Livornos, Piermario Morosini i cili u rrëzua në fushë gjatë ndeshjes kundër Pescarës në Serie B të shtunën. Morosini, 25 vjeç, i cili ishte i huazuar nga Udinese, pësoi sulm kardiak gjatë takimit dhe u bart për në spitalin Santo Spirito në Pescara, ku u deklarua i vdekur.
Tragjedia u pasqyrua në ballinat e të gjitha gazetave kryesore në Itali. E përditshmja La Pepubblica e përshkroi vdekjen e Morosinit me titullin: “Ai vdiq në fushë, dramë në futboll”. Një fotografi e futbollistit me titullin “Piermario Morosini 1986-2012” mbuloi ballinën e Gazzetta dello Sport. “Vdekje në fushë, ndalet futbolli italian”, shkroi Gazzetta në faqen e saj të parë duke shtuar “Dyshime rreth asistencës mjekësore”.
Vdekja e Morosinit do të hetohet pasi një veturë që i takonte policisë së trafikut kishte bllokuar ambulancën në dalje nga stadiumi dhe u desh t’i thyhej një xham në mënyrë që ajo të lëvizej. Gazeta nga Torinoja, Tuttosport e shprehu dhimbjen e të gjithëve që e njihnin Morosinin. “Ne humbëm një djalë”, ishte titulli në ballinën e saj duke shtuar “Askush nuk do harrojë pamjet e tmerrshme nga Pescara – Livorno”.
Morosini u rrëzua në tokë në minutën e 31-të të ndeshjes dhe bëri përpjekje të ngrihej para se të kolapsonte sërish. Tentimet për ta ringjallur ishin të pasuksesshme, Morosini nuk ktheu më vetëdijen. Corriere dello Sport, në ballinën e saj publikoi fotografi të ndryshme të incidentit të përshkruara me titullin: “Tragjedi në Pescara, Morosini pëson sëmundje të papritur dhe vdes. Ai ishte vetëm 25 vjeç”.
Mbrojtësi i Interit, Andrea Rannochia, i cili ishte shok me Morosinin, tha: “Jam thellë i pikëlluar. Ai më la një boshllëk të madh”. Kurse, presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter shkroi në Twitter: “Vetëm lot. Nuk ka fjalë për të përshkruar atë që kam ndjerë kur mësova për vdekjen e Piermario Morosinit. Tragjedia e cila tronditi të gjithë, është burim i pikëllimit dhe dhimbjes së madhe për të gjithë ata që e duan futbollin”. Corriere dello Sport në editorialin e saj iu referua tragjedive të shumta personale që kishin goditur Morosinin. “Një jetë e përshkruar nga dhimbja”, ishte titulli i saj.
Futbollisti nga Bergano humbi të dy prindërit para se të mbushte 18 vjet. Pak më vonë, Morosini humbi edhe vëllanë e tij të paralizuar, i cili bëri vetëvrasje, duke e lënë atë të vetëm me motrën, po ashtu invalide. Morosini kaloi në Udinese më 2005 nga akademia e të rinjve të Atalantës para se të huazohej në disa skuadra, fillimisht Bologna, më pas Reggina, Padova, Vicenza dhe në fund, Livorno. Ai bëri 18 paraqitje për ekipin U-21 të Italisë.
“Ai ishte i artë, gjithmonë u mundua t’i ndihmojë familjes së tij”, deklaroi drejtori i ekipit të rinjve të Atalantës, Mino Favini. “Ai ishte djalosh i shkëlqyeshëm, i cili gjithmonë mundohej t’u ndihmonte të gjithëve. Ai jetonte për familjen e tij, por ishte shumë i pafat”, shtoi ai. “I pyetur më 2005 se si ndikoi humbja e prindërve në përkushtimin për avancimin e tij në futboll, Morosini deklaroi: “Janë gjëra të cilat ju bëjnë të ndryshoni. Por, në të njëjtën kohë, ato ju forcojnë edhe më tepër, dhe kjo ju shtyn përpara për dhënë gjithçka për atë që ishte edhe ëndrra e prindërve të mi”.
Të gjitha ndeshjet në Serie A dhe Serie B të caktuara të zhvilloheshin gjatë fundjavës janë shtyrë në përkujtim të futbollistit, kurse ministri italian i Sportit, Piero Gnudi ka kërkuar që sportistët t’iu nënshtrohen kontrollimeve të vazhdueshme mjekësore.