Italia mbështet Ukrainën, Meloni: Kievi në agjendën e presidencës italiane në G7

Kryeministrja italiane Xhorxha Meloni (o. Giorgia) ripohoi mbështetjen e fortë për Ukrainën pas bisedimeve me presidentin Volodimir Zelensky (o. Volodymyr Zelensky), ndërsa ky i fundit vizitoi aleatët për të kërkuar më shumë armë për të luftuar Rusinë.
“Ne nuk duhet të heqim dorë nga Ukraina,” tha Meloni pas takimit në një forum ekonomik në Italinë veriore, i cili u fokusua te rindërtimi dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Ukrainës me Rusinë.
Qeveria e Melonit, e cila këtë vit mban presidencën e radhës së G7-ës, ka qenë ndër mbështetëset më të forta të Kievit që nga nisja e pushtimit rus në shkurt 2022, megjithëse disa anëtarë të koalicionit qeverisës italian, si Mateo Salvini, janë më pak entuziastë.
Roma ka dërguar armë në Kiev, por ka thënë se ato duhet të përdoren vetëm në territorin ukrainas, jo për të sulmuar Rusinë.
Gjatë fjalimit në forum, znj. Meloni tha se Italia mban një qëndrim serioz dhe të qartë për Ukrainën si anëtare e BE-së dhe NATO-s.
“Mbështetja e Ukrainës ka qenë para së gjithash një zgjedhje për interesin kombëtar dhe nuk do të ndryshojë,” tha kryeministrja.
Duke iu drejtuar popullit italian të shqetësuar për luftën, ajo kërkoi që të mos bjerë në grackën e propagandës ruse. Kryeministrja italiane paralajmëroi se pushtimi i Ukrainës nga Rusia nuk do të sillte paqe, por kaos dhe pasoja ekonomike më të rënda sesa kostoja aktuale për mbështetjen e Ukrainës.
Ndërkohë presidenti Zelenski falënderoi znj. Meloni dhe popullin italian, për mbështetjen dhe përpjekjet e përbashkëta në rivendosjen e një paqeje të drejtë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/