E Martë, 3 Nëntor 2026

Këshilli i Sigurimit dënon ligjin taliban për normat morale të grave afgane

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dënuar ligjin e paraqitur nga qeveria talibane për gratë në Afganistan, dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të rritë trysninë për ta anuluar atë.

12 nga 15 shtetet e Këshillit e kritikuan ashpër politikat e Talibanit për diskriminimin dhe shtypjen sistematike të të drejtave të grave dhe vajzave afgane. Dokumenti nuk u mbështet nga Kina, Rusia dhe Algjeria, për “të mos ndërhyrë në çështjet e brendshme të Afganistanit”.

Hibatullah Akunxada, lider suprem i talibanëve, ka nxjerrë një dekret që udhëzon gratë afgane të mos flasin me zë të lartë dhe të mbulojnë tërë trupin kur dalin në publik. Udhëzimet në ligjin me 114 faqe dhe 35 nene, që janë një interpretim strikt i ligjit të shariatit, u njoftuan më 21 gusht dhe janë të detyrueshme për burrat dhe gratë.

Burrave u kërkohen të rritin mjekrën më të gjatë se një pëllëmbë, të mbajnë veshje të lirshme dhe të mos ekspozojnë trupin nga gjuri. Mosbindja ndaj prindërve po ashtu ndëshkohet. Për zbatimin e këtyre rregullave ngarkohet policia morale nën Ministrinë për Përhapjen e Virtyteve dhe Parandalimin e Veseve.

“Talibani duhet të dëgjojë zërin e grave dhe vajzave afgane, duke u respektuar atyre të drejtat për arsimim dhe për të punuar, si edhe liritë e shprehjes dhe të lëvizjes,” tha ambasadori japonez në OKB në emër të 12 anëtarëve.

Që kur erdhën në pushtet tri vite më parë, talibanët kanë ndaluar vajzat mbi 12 vjeç që të shkollohen përtej klasës së gjashtë dhe e kanë kufizuar punësimin e tyre në sektorë si kujdesi shëndetësor. Gratë afgane nuk lejohet të vizitojnë parqet dhe hapësirat publike për argëtim, dhe ato duhet të shoqërohen nga një mashkull kur udhëtojnë. /THN

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›