E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia në vështirësi, mban Napolitanon si President

Gazeta Shqip

napolitaniPresidenti aktual, Giorgio Napolitano, pranoi të shërbejë për një mandat të dytë pas dështimit

Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, pranoi dje të shërbejë një mandat të dytë, pasi Parlamenti dështoi në pesë votime për të zgjedhur një pasardhës dhe rrezikonte një paralizë politike të gjatë. Menjëherë pasi Napolitano e pranoi lutjen e udhëheqësisë politike, Parlamenti e rizgjodhi atë duke i dhënë më shumë sesa 504 votat e kërkuara. Presidenca është një post përgjithësisht ceremonial, por është shumë i rëndësishëm në kohë destabiliteti politik, ku presidenti luan një rol të madh në krijimin e një qeverie dhe ka fuqitë për të shpërndarë parlamentin.

Ndihem i detyruar të ofroj disponibilitetin tim siç kërkohet, tha 87-vjeçari Napolitano. Unë nuk mund të refuzoj përgjegjësinë time para kombit.

Napolitano pati shprehur dëshirën të largohej nga detyra në shumë raste, duke argumentuar se është në moshë të thyer dhe se asnjë president më herët nuk ka shërbyer për dy mandate. Por ai tha se kishte ndryshuar mendje pas thirrjeve nga klasa politike, të cilët e panë atë si e vetmja mënyrë për të shmangur krizën.

Napolitano shtoi se shpresonte që vendimi i tij të pasohej nga një ndjenjë korresponduese përgjegjësie nga ana e partive politike, të cilat do të duhet ta votojnë atë në raundin e gjashtë të votimit sekret.

Napolitano duhet të qëndrojë në pushtet për shtatë vjet të tjera, por shumë analistë besojnë se ai mund të japë dorëheqjen sapo kriza të zgjidhet. Udhëheqësi i së majtës, Pier Luigi Bersani, dhe ai i së djathtës, Silvio Berluskoni, ndoqën Kryeministrin në detyrë Mario Monti dhe të tre së bashku mëngjesin e djeshëm shkuan në zyrën e Napolitanos për tiu lutur atij të qëndrojë në detyrë.

Napolitano nuk ka qenë në gjendje të emërojë një kryeministër për vendin, për shkak të mungesës së mazhorancës së qëndrueshme në senat dhe mungesës së vullnetit të palëve për kompromis. Por me një mandat të dytë, ai do të ketë mundësi të shpërndajë Parlamentin dhe të zhvillojë zgjedhje të reja. Presidenti në Itali nuk ka të drejtë të shpërndajë Parlamentin në muajt e fundit të mandatit të vet.

Presidenti në Itali zgjidhet nga një trupë zgjedhore pre 1007 vetash, ku marrin pjesë deputetët, senatorët dhe përfaqësuesit e rajoneve. Në raundin e pestë, shumica e tyre hodhën një votë të bardhë, pasi partitë nuk ranë dakord për një kandidat të përbashkët. Në orët e pasdrekes, një raund i gjashtë e rizgjodhi Napolitanon për një mandat të dytë.

Kriza e presidentit u përkthye edhe në një krizë në lidershipin e së majtës. Bersani pati arritur një marrëveshje për president me Berluskonin, por shumë deputetë të tij nuk e mbështetën në këtë kompromis. Bersani tha se do të japë dorëheqjen sapo kriza e presidentit të mbyllet. Vetëm tre muaj më parë, Bersani dukej se do të ishte Kryeministri i Italisë, ndërsa tashmë e sheh veten pranë dorëheqjes si kryetar i Partisë Demokratike. Kjo parti u krijua më 2007-n, për të bashkuar shumë parti të majta dhe të qendrës.

Italia në vështirësi, mban Napolitanon si President burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›