Italianët preferojnë liqenin e Shkodrës, kanë ndikuar aktivitetet sportive me kanoe dhe varkat turistike

Liqeni i Shkodrës është shndërruar në një atraksion turistik, sidomos për të huajt të cilët janë të apasionuar pas udhëtimeve në natyrë dhe jo vetëm. Ana e gastronomisë është një tjetër faktor që nxit të huajt të vizitojnë kryesisht zonën e Shirokës.
Risi është se ky vit ka tërhequr një numër të lartë sidomos të turistëve italianë.
Për Shefin e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura në Shkodër Tonin Macaj, numri i vizitorëve në këtë liqen është rritur falë aktiviteteve sportive që zhvillohen aty, si kanoet dhe vënia në funksion e 2 varkave turistike.
“Lëvizjet me kanoet kanë qenë një shtysë që i kanë dhënë vendit për të tërhequr turistët”, tha Macaj.
Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ndërkohë që ndër pikat turistike më të vizituara në liqen janë Shiroka, Zogaj, “Syri i Sheganit” etj.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/