Italianët votojnë sot dhe nesër për zgjedhjen e qeverisë së re
Analistët besojnë vetëm në formimin e koalicioneve
Italianët i drejtohen sot kutive të votimit, në zgjedhjet e përgjithshme të konsideruara si vendimtare për të ardhmen ekonomike të vendit, por edhe për qëndrueshmërinë e Eurozonës. Sipas sondazheve paraprake, favorit shfaqet koalicioni i majtë i udhëhequr nga Pier Luigi Bersani. Megjithatë, blloku i ish-kryeministrit Silvio Berlusconi ka një diferencë të vogël dhe gjithashtu shanse për të fituar zgjedhjet.
Koalicionet e kryeministrit Mario Monti dhe partia e komedianit Beppe Grillo, një risi në politikën italiane, nëpërmjet një platforme kundërshtuese dhe ironizuese të liderve aktualë, pritet të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në këto zgjedhje, duke grumbulluar vota të shumta.
Ndërkohë, kundërshtarët e Berlusconit sulmuan tre herë ish-kryeministrin për dhënien e një interviste gjatë së shtunës, pavarësisht heshtjes zgjedhore të imponuar nga ligji.
Këto zgjedhje vijnë në një klimë pesimizmi në Italinë e përfshirë nga probleme të rëndësishme ekonomike. Ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës përballet me një borxh të lartë kombëtar, rënie ekonomike dhe masa të ashpra kursimi.
Këto zgjedhje të përgjithshme janë të parakohshme në Itali, pasi në dhjetor deputetët e bllokut të Berlusconit tërhoqën mbështetjen për qeverinë Monti, duke sjellë rrëzimin e saj.
Pothuajse të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këto votime kanë pranuar nevojën e programeve shtrënguese, për të rishëndoshur financat kombëtare, por ish-kryeministri Berlusconi sfidon këtë logjikë, duke premtuar ulje taksash dhe nxitje të mëtejshme për biznesin, si e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.
Votimet
Ish kryeministri italian, Mario Monti ka qenë ndër të parët politikanë që ka votuar në Milano. Monti shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Elsa. Sipas analistëve zgjedhjet nuk do të arrijnë të nxjerrin një qeveri të fortë e cila do të jetë në gjendje të japë një zgjidhje për situatën ekonomike në vend. Italia, ekonomia e tretë më e madhe në zonën europiane, ndodhet në recesionin e saj më të gjatë dhe të thellë prej 20 vitesh.
Ish komisioneri europian, i cili zëvendësoi 76 vjeçarin Berlusconi si kryeministër në nëntor të 2011-ës, ndërmori masa të ashpra gjatë qëndrimit të tij në këtë post. Kjo bëri që të fitojë besimin e partnerëve europianë të cilët shpresojnë në rikthimin e tij në mënyrë që të vazhdojë me axhendën e nisur.
Blloku i tij i qendrës pritet të renditet vetëm i katërti në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat sondazhet parashikojnë se do të fitohen nga qendra e majtë. Por gjithsesi koalicionet do të jenë të nevojshme për krijimin e një qeverie.
Ka votuar gjithashtu dhe një nga kandidatët e tjerë të favorizuar për fitore, Xhanluixhi Bersani. Gjithashtu ka votuar edhe presidenti i vendit Xhorxho Napolitano i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Por sipas të dhënave të para pjesëmarrja në votime ka mbetur në 13 për qind, një shifër kjo e ulët në krahasim me vitin 2008. Mediat italiane janë përqendruar edhe në shpenzimet për zgjedhjet e përgjithshme dy ditore në vend. Llogaritet se shuma totale e shpenzuar është 389 milionë euro. Pjesa më e madhe e shpenzimeve i takon ministrisë së mbrojtjes 315 milionë, nga të cilat 73 milionë për Departamentin e Sigurisë Publike, 5 milionë për Departamentin e Politikave personale dhe 237 milion për Departamentin e çështjeve të brendshme dhe territoriale.
Votimi i Berlusconit pritet me protestat e grupit “Femen”
Një grup i vogël protestuesesh për të drejtat e grave kanë përshëndetur me mënyrën e tyre ish kryeministrin Silvio Berkuskoni në momentin që ai ka votuar në Milano.
Protestueset e grupit “femen” kanë demostruar kundër skandaleve seksuale që kanë përfshirë liderin konservator i cili ndodhet në një proces gjyqësor për marrëdhënie seksuale me një prostitutë minorene. Në trupat e tyre ato kishin shkruar “Mjaft Berluskoni”. Rojet e sigurisë kanë shtyrë femrat që ulërisnin për ti nxjerrë ato jashtë qendrës së votimit. Policia është detyruar t’i largojë ato me automjetet e policisë.
Italianët po votojnë në zgjedhje të përgjithshme që janë cilësuar si më të paparashikueshmet në vitet e fundit. Procesi i votimit i cili përfundon të hënën po ndiqet me shumë kujdes nga investitorët ndërkombëtarë.
Një qeveri e dobët italiane, të cilës shumë i frikësohen, do të vërë sërish në krizë besimin në zonën euro dhe në monedhën e përbashkët.
Sondazhet sugjerojnë një fitore të qendrës së majtë edhe pse janë të shumtë italianët e zemëruar me reformat e Montit.
Pierluigi Bersani, analistët e shohin si figurën me pak të mundshme për të qenë kryeministër
Lideri i qendrës së majtë Pierluixhi Bersani ka hedhur votën e tij në atë që analistët kanë parashikuar si një proces zgjedhor jo shume vendimtar për qeverinë e ardhshme.
Në një fushatë elektorale me emra të njohur dhe në arenën ndërkombëtare, Bersani përbën një përjashtim.
61 vjeçari, lider i Partisë Demokratike shihet nga analistët si personi më pak i mundur për të fituar zgjedhjet e aq më pak të jetë kryeministri i radhës.
Ai ka qenë ministër i industrisë në qeverinë e ish kryeministrit Romano Prodi.
Bersani nuk i afrohet profesionalizmit të Mario Montit, dhe është sigurisht shumë larg oratorisë së Silvio Berluskonit dhe Bepe Grilos.
Bersani ka premtuar se do të ndjekë të njëjtën linjë të Mario Montit dhe reformave të tij, por duke lehtësuar taksat për familjet me të ardhura minimale dhe pensionistët.