Iu vendos tritoli/ Marketi në Tiranë, në pronësi të babait të dy vëllezërve të shpallur në kërkim për atentatin ku u plagos dhe efektivi i policisë

Hakmarrja dyshohet të jetë shkak i një shpërthimi që tronditi Shkozën mëngjesin e sotëm.
Gazetarja Flutura Tota duke iu referuar burimeve nga grupi hetimore, raportoi për RTSH se marketi ku u vendos tritoli në orët e para të mëngjesit në Shkozë rezulton të jetë në pronësi të Lulzim Likës, babait të Aldo dhe Ali Likës, dy vëllezërve të shpallur në kërkim për atentatin e një jave më parë ndaj Kejdi Spajës, në të njëjtën zonë ku mbeti i plagosur efektivi i policisë Anxhelo Kumaraku.
Ngjarja dyshohet të jetë hakmarrje ndaj atentatit të 18 majit, ndërsa autori nuk është identifikuar ende. Dyshimet përforcohen edhe pasi ngjitur me marketin ndodhet edhe një lokal i cili është në pronësi të vëllait tjetër të Likëve. Policia njoftoi se pamjet e kamerave të sigurisë kanë kapur momentin e vendosjes së tritolit, ndërsa autori ka qenë i maskuar.
Pas vendosjes së atentatit, autori u largua nëpër rrugica në këmbë. Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të biznesit dhe subjekteve të tjera si dhe po merr në pyetje palët e përfshira në të dy ngjarjet për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
/rtsh.al/