E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iva Mera: Mbiemri më ka ndihmuar në televizion

TIRANE- Iva Mera, zëdhënësja bukuroshe e skuadrës bardhë e blu, në një rrëfim për verën, punën e përditshme dhe marrëdhëniet me të atin, aktorin e njohur Behar Mera. Mania ‘shopping’ dhe shumë detaje të tjera interesante, në një intervistë të sinqertë për faqet e verës... 
Iva, si ka qenë kjo verë për ty? 
Në fakt ishte një verë e paplanifikuar, që do të thotë pa plane dhe rezervime të mëparshme. Një verë e zhurmshme dhe me shumë lëvizje. 
Ku ke shkuar? 
Mund të them që kam pushuar këtë verë, sepse mora më shumë ditë pushimi sesa zakonisht. Kam lëvizur në shumë vende nga pak ditë; disa ditë i kalova në plazhet e bukura të jugut, që na dhuron vendi ynë, disa ditë të tjera në Gjermani, si dhe një udhëtim të bukur e të shpejtë me makinë drejt Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë. 
Cili është vendi yt i preferuar për pushime? 
Vendi im më i preferuar është gjithnjë një vend i ri për mua, i ndryshëm nga ato ku kam pushuar më parë. 
I kujton pushimet e para, si kanë qenë ato? 
Patjetër, madje shumë herë, sepse kanë qenë pushime me familjen dhe kur mblidhet e gjithë familja, padiskutim që ka gjithmonë kujtime dhe situata të cilat të bëjnë të qeshësh dhe të kesh nostalgji për to. 
Të pëlqejnë pushimet aktive, apo pasive? 
Kjo është një pyetje shumë e bukur. Shumë herë më qëllon të diskutoj për këtë temë me familjen time, pasi mami im më thotë gjithmonë: ‘Ty Iva të nevojitet një pushim pas pushimeve që ke bërë”. Kjo, pasi gjithmonë më kanë pëlqyer pushimet me aktivitet brenda, me lojëra, dhe gjithnjë dua të jem në lëvizje. Dhe në fund të pushimeve ndihem gjithmonë e lodhur dhe kam nevojë për pushim (buzëqesh). 
Cila ka qenë aventura më e çmendur që ke bërë gjatë pushimeve? 
Më pëlqejnë aventurat, por besoj që mbetem besnike e atyre aventurave që janë normale, në ekstrem nuk para më pëlqen të kaloj. 
Çfarë nuk mungon asnjëherë në valixhen tënde të pushimeve? 
Uhhh, shumë gjëra! Mund të përmend aparatin fotografik, kremrat e plazhit, lojërat e ndryshme, revistat, librat verorë e shumë e shumë gjëra të tjera. 
Çfarë mungon gjithmonë? 
Blloku im i shënimeve është i pari që lë gjithmonë me dëshirë në shtëpi, telefoni i punës, kompjuteri, gjëra të tilla. 
Cili është njeriu që do shumë ta kesh me vete kur pushon? 
Mikja ime më e mirë. 
T’i harrojmë pushimet dhe të flasim për punën tani... Je zëdhënëse e Sport Klub Tirana, cila është lidhja jote me sportin? 
Me sportin, asnjë lidhje personale përveç mamasë sime, e cila ka luajtur për vite me radhë volejboll me ekipin e Korabit. Gjithmonë kam anuar në fushën e babit tim, drejt artit dhe shkencave shoqërore. Nuk e shoh si një punë të lidhur me sportin, por si një profesion për të cilin kam mbaruar shkollën, marrëdhëniet me publikun dhe mediat. 
Sa të vështirë e ka një vajzë e bukur marrëdhënien me futbollistët? 
Aspak të vështirë! Është njësoj si të punosh në një kompani të madhe ku je e rrethuar me vajza dhe djem të ri. Relatat, marrëdhënia që ti krijon, të japin ndjesi pozitive ose negative në punë. 
Të ngacmojnë? 
Jo, aspak, s’kam pasur kurrë shqetësime nga puna që po bëj. Madje gjej rastin t’i vlerësoj vërtet, pasi janë djem korrektë dhe me vlera. 
Ke pasur ndonjëherë ndonjë të dashur futbollist? 
(qesh) Asnjëherë s’e kam menduar profesionin si element kriter tek partneri im. 
Nga televizioni, pse je tërhequr këto kohë? 
Nuk jam tërhequr, por kisha një kontratë me televizionin “AS” të cilën më duhej ta përfundoja. Sezoni i verës gjithmonë është periudhë pushimi dhe ideimi për projekte të reja. Tani që jemi në fillim të sezonit, të shohim ç’na ka rezervuar fati këtë vit. 
Do të të shohim në ndonjë projekt të ri? 
Momentalisht sapo jam kthyer nga pushimet dhe ende s’kam planifikuar asgjë. 
Një baba i famshëm; sa ka ndikuar Behari në rrugën që ti ke ndjekur? 
Direkt mendoj që s’ka ndikuar, pasi nuk ka qenë kurrë prindi që të rendte pas projekteve të vajzës. Gjithmonë kam qenë vetëm dhe ofertat e punës kanë qenë gjithmonë dëshirë e regjisorëve ose producentëve për të më pasur mua prezantuese. Indirekt mund të them që ka ndikuar, pasi një mbiemër i njohur sjell më shumë besim tek të tjerët për punën tënde. 
Cila është lidhja që ke ma babin, a mund të quhesh ti ‘vajza e babit’? 
Të tjerët më thonë shpesh që ‘je goca e babit’, ndoshta nga lidhja shumë e ngushtë që kemi krijuar bashkë. Por, shumë herë më duket që relatat prind-fëmijë asnjëherë s’mund të shkrihen deri aty ku mund ta quash babin shok. Nëse jam pak e përkëdhelur, besoj se të gjitha vajzat e vogla e kanë këtë të metë. 
A është kritik Behari ndaj teje? 
Po, shumë herë, madje ndonjëherë grindemi bashkë, pasi kërkon çdo gjë perfekte. Përpiqemi shpesh të flasim me njëri-tjetrin dhe i them që s’mund të jem unë perfekte sepse s’ka njeri perfekt. Po në shumicën e rasteve kritikat e tij kanë qenë me vend, të paktën në fushën e artit. 
Po ti ndaj tij? 
Po, jam! Në projektin ku po punon aktualisht babi, pas çdo puntate i jap mendimin tim. 
I ndan me të sekretet? 
Jo, kurrë! Babi ka qenë gjithmonë figura e babait strikt në shtëpi, bisedat tona janë të ngrohta, familjare, dhe me mirëkuptim brenda, por sekretet mendoj që ende s’ka ardhur momenti për t’i ndarë me mua. 
Behari, një baba liberal, apo një baba konservator? 
Babain tim mund ta përcaktoj si një prind me një natyrë tolerante, që do të thotë që ka durimin të të dëgjojë dhe të bisedojë me ty qetësisht dhe gjithmonë me mirëkuptim. Por nuk ka qenë asnjëherë liberal kundrejt gjërave të cilat binin ndesh me brezin dhe frymën që është rritur babai im. Për të ta shpjeguar më mirë, unë po ta përshkruaj kështu: Behari është një baba që i pëlqen të kujdesem për veshjen, por pa elemente ekstravagante... Behari është një baba që e percepton shoqërinë dhe argëtimin me to, por dëshiron t’i njohë më parë se kush janë miqtë e mi me të cilët rri... Behari është një baba që e pranon një fundjavë në një restorant apo lokal nate, por dëshiron të dijë vendin dhe kohën kur unë do të kthehem në shtëpi. Behari është një baba që të lejon të kesh jetën tënde, por rregullat dhe normat e shtëpisë i vendos ai. Me pak fjalë, ai është një baba që të lejon të bësh gjërat që të takojnë për moshën tënde, por siç e thotë shpesh dhe ai: me këmbë në tokë e me mend në kokë (buzëqesh). Vazhdon ti të jesh e përkëdhelura e babit, së cilës ai i plotëson çdo tekë? 
Vajza e vogël shoqërohet gjatë gjithë jetës me këtë fenomen: gjithmonë mbetesh e vogla e babit, edhe nëse je 26 apo 36 vjeçe. Por jo në lidhje me tekat, por në lidhje me kritikat dhe dëshirën për të drejtuar gjithnjë rrugën e jetës tënde. Në lidhje me tekat, mund të them që përpiqet të më plotësojë 50 për qind të tyre. 
E lëmë edhe babin tani dhe flasim për dukjen; sa rëndësi i kushton asaj? 
Përpiqem të jem gjithmonë e kuruar dhe korrekte në pamje kur dal nga shtëpia. Mendoj që bëj të njëjtën gjë që bëjnë të gjitha vajzat në moshën time, pa e tejkaluar. 
Shpenzon shumë? 
Më ndodh që e tejkaloj me shpenzimet pa u menduar shumë, dhe më pas bëhem pishman. Nuk jam një kursimtare e zonja. 
Sa herë në javë shkon në parukeri, qendra estetike? 
Mesatarisht një herë ose dy herë në javë. 
Po ‘shopping’, sa herë bën? 
Përgjithësisht dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë. 
Cila është blerja e fundit që ke bërë, sa ka kushtuar? 
Blerja e fundit është një pellush pa mëngë i firmës ‘Zara’ dhe ka kushtuar 80 euro.
(m.a/summer pages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›