E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iva Tiço: Viktor Gushi më shkruante në “Facebook”, e nisi me “like”, vazhdoi me “seks”

TIRANE - Siç është folur këto ditë në media, Viktor Gushi, autori i dy vrasjeve, 3 plagosjeve dhe 16 grabitjeve, i cili u arrestua tri ditë më parë nga blutë e kryeqytetit, ka pasur një jetë aktive në rrjetin social Facebook. Një prej personazheve me të cilët vrasësi kishte miqësi ishte edhe gazetarja Iva Tiço. Në këtë intervistë për "Gazeta Shqiptare", Tiço e cila është njëherësh edhe anëtare e jurisë së "Dancing with the stars Albania", tregon komentet që merrte nga Gushi në Facebook dhe mesazhin që e detyroi ta 'zhdukte' njëherë e përgjithmonë nga lista e miqve.
Si e keni njohur Viktor Gushin?
Nuk e kam njohur personalisht dhe nuk di të them datën e saktë se kur e kam pranuar si "friend" në Facebook, sepse prej më shumë se një viti, qëkur u hapën disa faqe të tjera me emrin tim, kam pranuar kërkesat për "miqësi" edhe të të panjohurve, në mënyrë që faqet e tjera me emrin tim të mos ishin më aktive, siç edhe ka ndodhur.
Sa aktiv ishte ai në faqen tuaj?
Ishte ndër më aktivët, komentonte vazhdimisht dhe bënte "like" mbi çdo gjë që postohej. Fillimisht mendova se mund të ishte dikush nga fisi, pasi kam kushërinj me mbiemër të përafërt, Gusho...Por pastaj e kuptova që ishte një i panjohur.
Çfarë komentonte?
Kryesisht bënte komplimente, në fillim nuk më kishin rënë në sy për keq, komplimente shumë normale...Tani që po shihja fotografitë me radhë, pashë se kishin mbetur akoma disa prej tyre. Është i vetmi episod që mbaj mend, kur unë po bëja batuta me një mikeshën time dhe ai ndërhynte vend e pa vend. I thashë që do ta bëja block nëse ndërhynte më, siç edhe i bëra më vonë kur e teproi.
Ju niste mesazhe private, çfarë përmbajtjeje kishin?
U bë shkas një mesazh privat që unë ta bllokoja. Përpara tij kishte shkruar komplimente normale, si në publik ashtu edhe në privat. Kurse një ditë, pas një emisioni, pas "Pasdites" së Rudina Magjistarit, më kishte shkruar në inbox mesazhe me përmbajtje seksuale. E bllokova menjëherë dhe e fshiva gjithë historikun e mesazheve që më kishte dërguar.
Si u ndjetë kur e patë në televizor?
Në fillim e pashë lajmin për kapjen e një vrasësi - vjedhësi maniak në internet,- isha duke punuar dhe nuk ndalova tek emri, por vetëm lexova historinë. Pasdite, po rrëmujshëm, shoqja dhe kolegia ime Ilva Tare më shkroi në sms që ai "vrasësi" me emrin Viktor Gushi kishte qenë "fans" i saj në Facebook. I thashë Ilvës se kisha pasur dhe unë një "friend" të tillë dhe se e kisha bllokuar. Vetëm në mbrëmje, kur pashë lajmet në televizion, e kuptova se bëhej fjalë për të njëjtin njeri. Kontrollova faqen në Facebook dhe pashë që ishin ende komentet mbi fotot...I pari dhe i vetmi reflektim i atij çasti ishte: Ç'na duhet Facebook- u! Veç shumë të mirash, ka dhe këtë risk, të vë në kontakt me njerëz të rrezikshëm. Ky person ishte me emër e mbiemër, po ku i dihet ata dhjetëra e qindra të tjerë me profile false?!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera 'Arrest me burg' për Viktor Gushin, grabitësi vrasës: Jam penduar!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›