Ivanoviq: Zyrtarët ndërlidhës mund të përmirësojnë raportet

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviq mund të bëhet zyrtari i parë ndërlidhës i Serbisë në Prishtinë.
Beogradi po e konsideron Ivanoviçin si njeri kompetent për t’u emëruar në pozitën ndërlidhëse mes dy vendeve, ashtu siç janë marrë vesh Kryeministri Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.
Ai nuk dëshiron të komentojë nëse do të bëhet “zyrtar ndërlidhës”, por thotë se kjo pozitë i ndihmon përmirësimit të raporteve Prishtinë-Beograd.
“Nuk mund ta komentoj atë (mundësinë e emërimit si zyrtar ndërlidhës i Beogradit në Prishtinë). Ende nuk ka vendim, kur të merret vendimi unë do të flas. Deri më tash s’ka kurrfarë vendimi dhe unë s’mund të them as po as jo”, ka thënë Ivanoviq për Express.
Ivanoviq ka thotç se zyrtarët ndërlidhës do të ndihmonin shumë në terren për t’u përmirësuar situata.
Sipas tij, problemi që ndodhi të hënën në manastirin e Graçanicës gjatë kremtimit të Krishtlindjeve ortodokse nuk do të ndodhte sikur të ishte zyrtari i Beogradit në Kosovë.
“Shpresoj se zyrtarët ndërlidhës do të kenë më shumë hapësirë edhe me pas kontakte më të shumta në mënyrë që të përmirësojnë sadopak situatën. Zyrtarët ndërlidhës mund të bëjnë përmirësime në raportet Prishtinë-Beograd”, ka thënë Ivanoviq./Indeksonline/