Izrael-Gaza/Putin harron “Ukrainën”: SHBA ka dështuar në Lindjen e Mesme

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë takimit me kryeministrin irakian, Mohammed Shia al-Sudani, në Moskë, tha se konflikti mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Gaza, shfaq “dështimin” e politikës së Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për krijimin e “një shteti sovran palestinez” që tha se është gjë “e domosdoshme”.
Disa ditë pasi Hamasi nisi një sulm masiv në Izrael, Putini tha se, “ mendoj se shumë njerëz do të pajtoheshin me mua se ky është një shembull i qartë i dështimit të politikës amerikane në Lindjen e Mesme”.
Ai foli për “nevojën e zbatimit të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez”.
Putin tha se SHBA-ja “ka tentuar të monopolizojë zgjidhjen e konfliktit, por fatkeqësisht ata nuk ishin të preokupuar në gjetjen e kompromiseve që do të ishin të pranueshme për të dyja palët”.
Perëndimi “nuk ka marrë parasysh interesat thelbësore të popullit palestinez”, tha ai.
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se krijimi i një shteti palestinez është “zgjidhja më e qëndrueshme” për paqe me Izraelin.
Grupi militant i Hamasit nisi një sulm masiv ndaj Izraelit mëngjesin e 7 tetorit. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme në Gaza.
Të paktën 900 persona në Izrael dhe mbi 700 në Gaza janë vrarë që kur shpërtheu dhuna.
Hamasi – që njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe fuqitë e tjera botërore – udhëheq me Gazën që nga viti 2007.
Izraeli ka urdhëruar rrethimin e plotë të Gazës dhe autoritetet kanë thënë se kjo masë nënkupton ndërprerjen e ujit, ushqimit dhe energjisë për këtë territor.
Në përgjithësi, kjo situatë është e kompleksuar dhe është e rëndësishme të vazhdohet përpjekja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve.
/rtsh.al/