Izraeli: Çështja palestineze kontrollohet nga Irani dhe Hamasi

Ministri i Jashtëm Israel Katz ka reaguar pas zgjedhjes së kreut të ri të Hamasit, Yahya Sinëar. Sipas Tel Avivit zyrtar caktimi i liderit të ri të grupit terrorist të Hamasit dëshmon se “çështja palestineze kontrollohet plotësisht nga Irani dhe Hamasi”.
“Pa veprimin izraelit në Gazë, zona do të binte tërësisht nën kontrollin e Hamasit. Në Judea dhe Samari, Abbas dhe Autoriteti Palestinez mbijetojnë vetëm për shkak të operacioneve intensive ushtarake të Izraelit kundër Hamasit dhe infrastrukturës së Xhihadit Islamik, të cilat mbështeten dhe promovohen nga Irani”, ka shkruar në “X”, ministri i Jashtëm izraelit.
Katz akuzon Iranin për kontrabandë armësh në Jordani për të “destabilizuar regjimin jordanez dhe më pas për të përmbytur kampet e refugjatëve në Jude dhe Samari dhe në të gjithë zonën me armë dhe fonde për të krijuar një front tjetër terrorist nga lindja kundër qendrave kryesore të popullsisë së Izraelit”.
Ministri i Jashtëm izraelit thekson se vendi i tij duhet të mbajë kontrollin e sigurisë në zonat delikate “për të parandaluar krijimin e një fortese tjetër ekstremiste iranio-islamiste dhe për t’u mundësuar palestinezëve të menaxhojnë punët e tyre të brendshme”.
“Çdo gjë tjetër do të çojë në krijimin e një poste tjetër iraniane në rajon, e cila do të shpërthejë përballë botës dhe të gjitha vendeve të rajonit. Bota duhet ta shohë realitetin ashtu siç është dhe të mbështesë Izraelin, i cili aktualisht qëndron në ballë të betejës kundër boshtit islamik iranian dhe ekstremist”, thekson kryediplomati izraelit.
/rtsh.al/