E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli bllokon Rachel Corrie"

Anija irlandeze nuk lejohet të thyejë bllokadën e vendosur nga shteti hebre

Përfundoi ashtu siç ishte parashikuar lundrimi i anijes pacifiste “Rachel Corrie” drejt Rripit të Gazës, por kësaj here pa dhunë dhe viktima. Anija e vogël irlandeze nuk arriti dot të thyente bllokadën e vendosur nga Izraeli ndaj enklavës palestineze të kontrolluar nga integralistët e “Hamas”-it. Shumë trembeshin se do të përsëritej ajo çka ndodhi të hënën kur një tjetër anije me aktivistë propalestinezë, e udhëhequr nga anija turke “Mavi Marmara” në bordin e së cilës ishin edhe eksponentë të një organizate islamike, u sulmua nga forcat izraelite ku humbën jetën nëntë persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Ky veprim u dënua nga një numër i madh qeverish dhe institucionesh ndërkombëtare edhe pse Izraeli vazhdon të këmbëngulë se gjithçka ishte e drejtë dhe u bë për vetëmbrojtje. Të paktën me “Rachel Corrie” gjithçka u zgjidh në mënyrë paqësore. Ajo u kap në mëngjes nga marina izraelite, të cilët e detyruan të kthehet drejt portit izraelit Ashdod, kanë bërë të ditur autoritetet izraelite. Të gjithë pasagjerët janë mirë dhe nuk janë regjistruar shenja dhune. Burime të organizatës “Free Gaza” kanë bërë të ditur se anija është marrë me dhunë nga marina izraelite dhe është rimorkiuar drejt portit të Ashdod. Izraelitët pranojnë se e morën anijen paqësisht rreth 30 kilometra afër bregdetit të Gazës. Në bordin e tragetit "Rachel Corrie" ndodhen 19 aktivistë propalestinezë dhe 1.200 tonë mall mes të cilave, ushqime, ilaçe, karroca invalidësh dhe 560 tonë çimento. Izraeli tha se do ta dërgojë ndihmën humanitare në Gaza, pasi të jetë siguruar se në të nuk ka armatime që mund të përdoren nga forcat e “Hamas”-it. “Anija kaloi nën kontrollin e forcave izraelite, pa përplasje dhe incidente”, deklaroi kapiteni Aryi Shalicar, zëdhënës i ushtrisë izraelite. “Në bordin e “Rachel Corrie” nuk kishte militantë islamikë dhe anëtarët e ekuipazhit, si dhe personat e tjerë në bord u trajtuan shumë mirë me përjashtim të ndonjë proteste verbale në bashkëpunimin për të evituar çdolloj problemi”. Ekuipazhi i "Corrie" – që kishte gjithsej në bord 19 persona mes të cilëve pacifistë dhe gazetarë përfshi këtu edhe fituesen e çmimit “Nobel” për paqen, irlandezen Mairead Maguire. Aktivistët në bordin e anijes, më parë u shprehën se ishin të vendosur për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza, por grupi nuk do të përdorte dhunë edhe nëse do konfrontohej nga forcat izraelite. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë kanë kërkuar nga udhëheqja izraelite që të zbusë bllokadën ndaj Rripit të Gazës. Së bashku me autoritetet autonome palestineze do të kërkohen mundësi të reja për dërgimin e ndihmave humanitare në rajonet e kontrolluara nga “Hamas”-i radikal-islamik.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›