E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët, në dilemë seanca në Kuvend

Administrata ka nisur mbledhjen e dokumenteve për tre të emëruarit nga Topi

Administrata e Kuvendit ka nisur që këtë javë përpjekjen për të gjetur dokumente plotësuese për tre anëtarët e Gjykatës së Lartë të dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas kërkesës së anëtarëve të Komisionit Parlamentar të çështjeve Ligjore. Në mesin e javës së ardhshme, në Komisionin e Ligjeve, do të nisë seria e seancave dëgjimore me tre anëtarët e dekretuar: Medi Bici, Sokol çomo dhe Vexhi Muçmataj, ku pritet që përveç dosjes së sjellë nga Presidenca, do të shikohen edhe dokumente të tjera të gjetura në institucionet ku tre gjyqtarët kanë punuar gjatë viteve. Por data e mbledhjes së komisionit nuk është përcaktuar, pasi gjithçka do të varet nga Komisioni i Rregullores dhe Mandateve, nëse përcaktohet apo jo heqja e votimit të fshehtë për dekretet e Presidentit të Republikës. Kryetari i Komisionit të çështjeve Ligjore, Ilir Rusmali, deklaroi javën e shkuar se shqyrtimi i dekreteve të Presidentit do të zhvillohet pas shqyrtimit të ligjit të faljeve. Pas rrëzimit të anëtarit të Kushtetueses, Vangjel Kosta, mazhorancës i janë komplikuar hapësirat për të vepruar me të njëjtën monedhë edhe me tre kandidaturat e dekretuara nga Topi për në Gjykatën e Lartë.

Dekretet

Javën e kaluar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjodhi tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, duke emëruar tre juristë që nuk kanë pasur një “background” politik në kohën e regjimit komunist, por ka dekretuar një nga emrat që dy vjet më parë është rrëzuar nga mazhoranca. Bëhet fjalë për gjyqtarin Medi Bici, i cili bashkë me Vexhi Muçmatajn dhe Sokol çomon janë dekretuar dje nga kreu i shtetit, si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por Bici ka qenë edhe pjesë e listës së “gjashtëshes” që u rrëzua nga mazhoranca dy vjet më parë. Presidenti, siç bëri edhe me rastin e Altina Xhoxhajt, edhe kësaj here i dërgon Kuvendit një tjetër emër të rrëzuar, duke e motivuar me CV-në profesionale. Të tre emrat e emëruar nga Topi kanë një profil të qartë, pasi kanë përvojë të gjatë pune në sistemin e drejtësisë dhe kanë qenë si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kështu Medi Bici, i cili e ka filluar karrierën e gjyqësorit pas vitit 1990, ka punuar si gjyqtar i Gjykatës së Parë në Tiranë, më pas gjyqtar i Apelit të Krimeve të Rënda, si dhe ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Vexhi Muçmataj njihet si drejtues dhe pjesëtar i organit qendror të akuzës, pasi ka 13 vjet që punon në Prokurorinë e Republikës. Për një kohë të gjatë, z. Muçmataj ka qenë prokuror i Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Ndërkaq, anëtari i tretë i Gjykatës së Lartë, Sokol çomo, ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë gjatë qeverisjes së PS-së, kryetar i Gjykatës së Tiranës për disa vite dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›