Izraeli krye në vete kundër Iranit?

Zyrtarët izraelitë kanë theksuar se nuk do të paralajmërojnë SHBA-në, nëse vendosin të ndërmarrin sulme parandaluese kundër objekteve bërthamore të Iranit, ka deklaruar një zyrtar i inteligjencës amerikane, i afërt me diskutimet. Ky qëndrim, i përcjellë në një seri të takimeve private të nivelit të lartë, me gjasë do të përcaktojë një ton të tendosur, në prag të takimeve që do të zhvillohen gjatë ditëve në vijim në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kapitoll Hill.
Zyrtarët izraelitë kanë theksuar se nëse në fund arrijnë në përfundim se sulmet janë të domosdoshme, ata do të mbajnë amerikanët në terr, për të reduktuar mundësinë që SHBA-ja të shpallet përgjegjëse për atë se nuk e ka parandaluar sulmin potencial të Izraelit. SHBA-ja ka punuar që disa muaj me Izraelin, për të bindur këtë vend se sulmi ushtarak do ta ndalte vetëm përkohësisht programin bërthamor të Iranit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barack, këtë porosi ja kanë përcjellë disa vizitorëve amerikanë të nivelit të lartë, përfshirë këtu edhe shefit të shtabit të bashkuar të shefave të ushtrisë amerikane, këshilltarit për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, drejtorit të shërbimeve kombëtare të inteligjencës dhe ligjvënësve më të lartë amerikanë. Që të gjithë këta zyrtarë kanë bërë përpjekje që të eliminojnë boshllëkun e besimit mes SHBA-së dhe Izraelit në lidhje me atë se si duhet përballur me Iranin, për shkak të ambicieve bërthamore të Teheranit.
Netanyahu ja përcolli të njëjtën porosi të gjithë amerikanëve, të cilët kanë shkuar për bisedime në Izrael, deklaroi zyrtari amerikan.
Zyrtari deshi të mbetet anonim, për shkak se nuk është kompetent për të folur për negociatat strategjike ndërmjet dy vendeve.
Shtëpia e Bardhë nga ana e saj nuk deshi të komentojë këto deklarata, e komentet i refuzuan edhe Pentagoni, zyra e drejtorit për inteligjencë kombëtare, si dhe ambasada e Izraelit në SHBA.
Irani insiston se programi i vet bërthamor është paqësor, por Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka alarmuar se programi i Teheranit për pasurimin e uraniumit mund të jetë një hap drejtë prodhimit të armëve bërthamore. SHBA-ja ka theksuar se nuk ka njohuri se a ka vendosur Teherani që të shndërrojë në armatim materialin e vet bërthamor.
Këto qëndrime të Izraelit me gjasë do të brengosin zyrtarët amerikanë dhe do të ngarkojnë takimet e nivelit të lartë mes Izraelit dhe SHBA-së, për atë se si duhet të trajtohet Irani.
Por vendimi për të mbajtur në terr SHBA-në gjithashtu mund të burojë edhe nga frustrimi i Izraelit me Shtëpinë e Bardhë. Pas vizitës së këshilltarit për siguri kombëtare, Tom Danilon, izraelitët erdhën në përfundim se amerikanët nuk do të ndërmarrin aksion ushtarak, e as nuk do të mbështesin Izraelin, në aksionin e njëanshëm ushtarak kundër Iranit.
Izraelitët erdhën në përfundim se do të jenë të detyruar që të ndërmarrin aksion të njëanshëm, theksoi zyrtari amerikan.
Barak gjatë vizitës së tij në SHBA, do të takohet me zyrtarët më të lartë të administratës dhe Kongresit, ndërsa Netanyahu do të zbarkojë javën e ardhshme në Ëashington, për bisedime me presidentin Barack Obama.
Vërejtjet prapa skenës bien ndesh me frontin e bashkuar publik, të cilin dy palët kanë tentuar ta formësojnë, në diplomacinë lëvizëse mes dy kryeqyteteve.
“Është kjo një hapje e paparë ndaj Izraelit, për t’u siguruar se do të punojmë së bashku për të hartuar një plan, në mënyrë që të parandalojmë prodhimin e armëve bërthamore nga ana e Iranit”, deklaroi Dutch Ruppersberger, demokrati kryesor në Komitetin e Kongresit për inteligjencë.
Ai ka udhëtuar në Izrael së bashku me kryesuesin e Komitetit, republikanin Mike Rogers, për t’u takuar me Netanjyahun, Barakun dhe zyrtarët tjerë izraelitë.
“Biseduam për faktin se sanksionet janë duke funksionuar dhe se ato do të bëhen edhe më agresive”, shtoi Ruppersberger.
(AP)