E Diel, 1 Nëntor 2026

Nikoliq: Si të gëzohem kur Qeveria ka njohur kufirin me Kosovën

Kryetari i Partisë Përparimtare serbe (PPS) Tomisllav Nikoliq deklaroi sot se si “serb dhe qytetar i Serbisë “i gëzohet përparimit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të kandidatit, por pushteti me marrëveshjen me Prishtinën ka vendosur kufirin ndaj Kosovës.

”Mund të falsin çfarë duan, ata kanë vendosur kufirin ndaj Kosovës. Kam në xhaketë, mundtë ju tregoj se si kalohet kufiri drejt Kosovës, shihen vulat dhe si paguhen 50 euro”, tha Nikoliqi, raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta.

Kurse, lideri i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, deklaroi sot se nga statusi i kandidatit për pranim në Bashkimin Evropian, nuk ka kurrfarë përfitimi dhe se Serbia duhet të largohet nga integrimet evropiane, pasi ato, sipas tij, “paraqesin vetëshkatërrim të Serbisë”.

“Kemi parë se pushteti i tashëm u ka pranuar separatistëve shqiptarë, se në territorin tonë ekziston shteti i Kosovës me yll” tha Koshtunica dhe shtoi se “sot e shohim se për shkak të pranimit të Kosovës me yll, BE është revanshuar dhe e ka dhuruar pushtetin në Serbi, që mund të shkoj në zgjedhje me kandidaturë”, ka thënë lideri opozitar serb, nëpërmjet një kumtese për media.

Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ka rekomanduar sot që Serbia ta fitojë statusin e kandidatit për pranim në BE, kanë thënë zyrtarë që kanë marrë pjesë në takim.

Ky vendim duhet të konfirmohet nga liderët e Bashkimit Evropian, në samitin që mbahet nesër dhe pasnesër në Bruksel.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›