Izraeli vret sulmuesit e ushtarëve egjiptianë

Izraeli ka njoftuar se ka vrarë pesë atentatorë, përgjegjës për sulmin kundër një postblloku të ushtrisë së Egjiptit.
Pas sulmit kundër postbllokut të ushtrisë së Egjiptit në Gadishullin e Sinait, si pasojë e të cilit u vranë 16 ushtarë egjiptianë, forcat egjiptiane të sigurisë janë vënë në kërkim të atentatorëve tjerë, për të cilët besohet se janë arratisur pas aksionit.
Pas sulmit, sulmuesit me dy automjete të vjedhura nga ushtria egjiptiane kishin tentuar të kalonin në Izrael, ku pesë prej tyre u vranë nga ushtria izraelite. Sipas të dhënave të zyrtarëve egjiptianë, në anën egjiptiane të kufirit janë gjetur kufomat e tre sulmuesve tjerë.
Mediet egjiptiane cituan zyrtarë anonim të sigurisë, të cilët theksuan se sulmuesit ishin pjesëtarë të një grupi deri me tani të panjohur ekstremist, i cili vepron në Rripin e Gazës.