JEMEN – Houthi: Të paktën tre të vdekur dhe 80 të plagosur pas sulmit izraelit

KAJRO, 21 korrik /ATSH-DPA/- Tre persona kanë vdekur dhe 80 të tjerë janë plagosur gjatë sulmit ajror izraelit në qytetin port të Jemenit, Hodeidah, tha sot kreu i spitalit lokal Khalid Suhail, për transmetuesin televiziv al-Masirah.
Transmetuesi, i cili shihet si i afërt me lëvizjen Houthi – mbizotërues në Jemen – shfaqi gjithashtu imazhe të të plagosurve pas sulmit të së shtunës që i vuri flakën një pjese të madhe të portit të rëndësishëm strategjik.
Zëdhënësi ushtarak Houthi, Yahya Saree, tha se milicia e mbështetur nga Irani kishte goditur objektiva të rëndësishëm në Izrael – në shenje hakmarrjeje.
Autoritetet ushtarake izraelite raportuan më herët se kishin rrëzuar një raketë që po i afrohej Izraelit nga drejtimi i Jemenit dhe sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në qytetin port jugor të Izraelit, Eilat.
“Raketa nuk arriti të depërtonte në territorin izraelit – dhe nuk pati raportime për viktima”, tha ushtria izraelite. //a.i/