E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kumbaro: Rana e Hedhun, mrekullia e natyrës në bregdetin Adriatik

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga plazhi i Ranës së Hedhun në Shëngjin.

“Rana e Hedhun, mrekullia e natyrës në bregdetin Adriatik”, u shpreh ministrja Kumbaro.

“Rana e Hedhun” është një plazh i mbrojtur që vazhdon të mbërthejë kuriozitetin e vizitorëve dhe pushuesve, pasi duket sikur rëra ka nisur udhëtimin e saj drejt malit.

Ndodhet 2.5 km nga qyteti i Shëngjinit, në bashkinë e Lezhës, dhe vlerësohet si një gjeomonument i rrallë.

Monumenti i Natyrës, Rana e Hedhun, vendi ku dunat e rërës shkrihen së bashku me detin. Një destinacion unik, me gjatësi 600 m dhe gjerësi 100 m, pozicionuar rrëzë malit të Rencit. Rana e Hedhun njihet edhe për vlerat e saj shkencore gjeomorfologjike, didaktike dhe turistike.

Ky plazh të jep një pamje që nuk e ndesh askund përgjatë bregdetit Adriatik. Aty takohet rëra gri me detin e kaltër, ndërsa nuk mungojnë edhe shkëmbinjtë që zbresin nga mali dhe derdhen në det.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›