JERUSALEM – Mladenov: Rindërtimi i Gazës do të fillojë vetëm pasi Hamasi të çarmatoset

TEL-AVIV, 13 maj /ATSH-DPA/- Rindërtimi i Rripit të Gazës, i cili u shkatërrua në masë të madhe gjatë luftës së fundit, do të fillojë vetëm pasi Hamasi të çarmatoset, tha sot përfaqësuesi i lartë për Gazën, Nikolay Mladenov duke folur për gazetarët në Jerusalem.
“Në zonat e Rripit të Gazës ku ende mban pushtetin, Hamasi po konsolidon kontrollin e tij mbi popullsinë”, tha zyrtarI i lartë ndërkombëtar.
Diplomati bullgar dhe i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme vepron si ndërlidhës midis Këshillit të Paqes dhe administratës së përkohshme palestineze të Rripit të Gazës.
Mladenov gjithashtu është konsultuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem.
“Hamasi po vendos taksa ndaj njerëzve që nuk kanë më asgjë për të dhënë dhe po pengon punonjësit palestinezë të kualifikuar, të ndërtojnë strehim më të mirë për personat e zhvendosur brenda vendit”, tha ai.
Ai bëri thirrje që Hamasi të heqë dorë nga udhëheqja në Rripin e Gazës.
“Ata që respektojnë ligjin do të kenë një vend në Gazën e re. Ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë do të jenë të lirë të bëjnë një kalim të sigurt drejt vendeve të treta. Ne nuk po kërkojmë që Hamasi të pushojë së ekzistuari si një lëvizje politike”, shtoi ai.
“Për palestinezët në brezin bregdetar, lufta nuk ka përfunduar ende plotësisht”, tha Mladenov.
“Shtatë muaj pas fillimit të armëpushimit, dera drejt së ardhmes së Gazës mbetet e mbyllur”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipti, Katari dhe Turqia kanë hartuar një plan praktik me 15 pika gjatë muajve të fundit, për të zbatuar planin e paqes për Gazën.
Ata gjithashtu janë takuar disa herë me një delegacion të Hamasit në Kajro, por Hamasi deri tani ka refuzuar të çarmatoset.
Ushtria e Izraelit vazhdon të kontrollojë rreth gjysmën e Rripit të Gazës. //a.i/