E Shtunë, 31 Tetor 2026

JO importit të plehrave, PO lëndëve të para dytësore!

ROMEO HANXHARI

Të premten isha i ftuar në një emision bisedë te News 24. Flitej për ligjin e administrimit të integruar të mbetjeve. Ose, siç quhet nga mileti dhe nga disa televizione, ligji i plehrave, ose më keq, ligji i importit të plehrave. Bukuri! Se ne në këtë Shqipëri jetojmë, dhe kështu që do ti bindemi zhargonit të miletit.  Ky milet, që jemi ne të gjithë, ligjin modern Antikorrupsion e quajti ligji i spiunëve. E kuptoni mentalitetin? Kështu që edhe këtë ligj po e quan ligji i plehrave. Këto raste, pra kur ne e quajmë spiun atë që denoncon një rast korrupsioni dhe tjetra kur i quajmë plehra materialet e seleksionuara si letrën apo aluminin, apo metalin, dëshmojnë se ku e lamë e ku na mbeti, d.m.th. dëshmon se sa prapa jemi me mentalitetin. Po aq mbrapa sa çishin ata paraardhësit tanë të 1914-s që Lamja e nderuar na i përshkruan se si e quanin Princ Vidin burrë koti e që smeriton të na udhëheqë vetëm e vetëm sepse ky i varfri ndihmonte të shoqen për të zbrit nga karroca. I gjori Princ sillej siç i vinte, ashtu siç, në fakt, sillen sot shqiptarët, por që atëherë u dukej si gjë e papranueshme. Kështu është kjo punë, ja që ndonjëherë qeveria i paraprin mentalitetit të popullit Megjithatë, pra, do ti bindemi thamë mentalitetit të kohës dhe vendit ku jetojmë. Le ta quajmë Princin burrë koti dhe le ti quajmë letrën dhe hekurin plehra.
…Kështu që, meqë jetojmë në këtë lloj mentaliteti ku edhe eksperti etiketohet pa pikë problemi dhe pa pikë vonese kur jep opinionin personal si profesionist e jo si amator populist, ndiej nevojën që të ribërtas edhe më fort qëndrimin tim lidhur me çështjen e të ashtuquajturit ligj të plehrave, atë qëndrim që mbajta dhe atje në bisedë: unë jam kundër importit të plehrave (ose mbetjeve, siç u thonë disa të krisur si unë), por jam pro importit të atyre lëndëve, të cilat në një moment të caktuar pushojnë së qeni plehra. Edhe një herë: jam për ato që pushojnë së qeni plehra. Tani, se kur pushojnë plehrat së qeni plehra, atë e sqaron i gjori ligj mirë e bukur, siç e sqarojnë dhe sanksionojnë ligjet e Evropit, por atij ligji nuk ia var njeri. Kur ato janë lëndë e parë dytësore, d.m.th. kur janë veçuar që në fillim, me kujdes, me pastërti dhe pa u përzier, lëndët e dobishme si letër, hekur, alumin, e ca të tjera që sqarohen te lista jeshillike, unë nuk jam kundër që të importohen në Shqipëri sasi të kontrolluara dhe të përllogaritura sipas nevojës së sektorit të riciklimit. Kjo punë me shumë terezi, me shumë karar dhe me kontroll të shumëfishtë. Ok? Shpresoj që të jetë e qartë edhe për ata të cilët plehrave u thonë mbetje (me dashje) dhe sidomos për ata që mbetjeve u thonë plehra (po me dashje). Thënë edhe më ndryshe, me parulla, siç u pëlqen disa kolegëve të mi ambientalistë, mund të përmblidhet kështu: JO importit të mbetjeve, PO importit të monitoruar të lëndëve të para dytësore!
Kaq. Tani, më lini tju tregoj diçka të bukur që më ka bërë edhe të qesh, po edhe të mendoj shumë. Pas asaj bisede ditën e premte, kur e sqarova dhe argumentova sa munda qëndrimin tim të motivuar nga profesioni im, të shtunën në mëngjes, pra, më takon në lagje një komshi i nderuar. Te kioska e gazetave të lagjes, te rruga Myslym Shyri, rrugë kryesore, gati qendër e Tiranës. Vjen e më takon ky e më thotë: Po si, or burrë i dheut, ishe për importin e plehrave? Se të pashë në televizor një çikë nga fundi i bisedës. Po pak kemi ne plehrat tona, që skemi ku i çojmë, ë?!. E, në këto e sipër, nxori nga xhepi paketën, vuri cigaren e fundit në buzë duke më parë në sy dhe e vërviti paketën bosh në rrugë. Unë ia plasa së qeshurës, e duke qeshur u ula e mora paketën dhe ia dhashë në dorë: Të ra paketa në rrugë, vlla, i thashë. Jo mor jo, – më tha, – e hodha vetë, or burrë, mbarun cigaret. Aha, thashë me vete, kjo qenka e rëndë. Mirë, – i thashë, – meqë e hodhe vetë, atëherë po e çoj vllai yt aty te koshi, se sështë as larg, 10 metra është. Aaaa, – ma kthen, – po jo mor burrë se e çoj vetë, ça halli paske ti, hallin e pastërtisë? Unë thashë se ça po më thoshe. Jo, – i thashë, – kaq, këtë hall kam. Por, për ty dhe për ndonjë tjetër si ty që ka parë vetëm fundin e bisedës, do shkruaj një gjë ashtu kot në gazetë e do të ta sjell ta lexosh. Me kusht që mos ta hedhësh pastaj në rrugë.
E kështu e lashë me të. Ndaj po e shkruaj këtë sqarim, që mbase arrin të më kuptojë edhe ai komshiu im që e krijon gjykimin vetëm nga blogjet në Facebook.
Por, duke shkruar këtë shkrim, mendova këtë tjetrën. Nëse ne si popull do të ishim kaq sedërlinj e do ta merrnim mjedisin me kaq seriozitet sa çpo bëjmë sikur po e marrim në këtë rast, a nuk do të duhej të dëgjonim me më shumë kujdes të gjitha argumentet pro dhe kundër, pa u bërë pré e manipulimit nëpër blogje sipërfaqësore?! Të dëgjonim dhe të kuptonim sidomos. Dhe, kryesorja, mos të bëheshim pré e politizimit për këto çështje, sepse bëhet fjalë thjesht për mjedisin tonë, dhe jo për pushtetin e njërës apo tjetrës parti. Por, mendova edhe këtë tjetrën. Nëse ne do të ishim aq sedërlinj sa çdukemi, nuk do të kishim akoma në vitin 2011 familje që e lënë qesen e plehrave te cepi i pallatit e nuk denjojnë ta çojnë as deri te koshi matanë rrugës, nuk do të kishim kalamaj që plasin në rrugë lëkurën e bananes nga X5-a e mamit që ka shku për ti marrë nga shkolla luksoze, apo kalamaj që hedhin qesen e sufllaqes a byrekut me gjizë ku tu qëllojë, nuk do të kishim çunakë që kanoçet i plasin në trotuar apo i vërvisin nga makinat e bukura në autostradë, nuk do të kishim burra me a pa mustaqe që bëjnë kampionatin e të pështymës në rrugë apo garën e ngrënies së farave me të pështyra dhe, së fundi, nuk do të kishim qytetaro-fshatarë që i shohin të gjitha këto dhe as e rruajnë hiç fare. Më falni për shprehjen. E kështu me radhë. Atëherë, në këto kushte, mua më lind e drejta të pyes veten dhe të tjerët: a jemi ne një popull hipokrit me mjedisin tonë?! D.m.th. që ndryshe themi e ndryshe bëjmë?! Zoti mos e dhashtë të jetë kështu!
Por unë i ftoj dhe i sfidoj njëkohësisht, të gjithë bashkëqytetarët e mi të meditojmë për këtë. Sepse, miqtë e mi, e keqja na vjen nga vetja jonë, nga mënyra si sillemi e çfarë bëjmë apo nuk bëjmë, nga mentaliteti se si e shohim mjedisin dhe si i trajtojmë mbetjet si plehra. E keqja nuk na vjen nga një kuintal letër që do të vijë për tu bërë po letër, apo nga 2 kuintalë shishe plastike që do vijnë për tu bërë qese (derisa ti ndalojmë fare e të shpëtojmë prej tyre), apo nga 5 kuintalë skrap që do të vijë për tu bërë hekur ndërtimi. Jo! Sepse pjesa më e madhe e këtyre që do të prodhohen, do të eksportohen përsëri, nuk do të mbesin këtu. Këtë e bën gjithë dynjaja mbarë. Industritë e mësipërme duhet vetëm të operojnë me kushte të rrepta mjedisore, sipas ligjeve tona mjedisore që i kemi të mira e që duhet thjesht ti zbatojmë mirë. Për këtë hajde tu kërkojmë llogari deri në një,  madje edhe të kërkojmë nga shteti që tua mbyllë aktivitetet nëse nuk respektojnë rregullat e vendosura po nga ky shtet. Fakt është që ato aktivitete njësoj do të punojnë, sikur ta gjejnë letrën brenda vendit, ashtu edhe sikur ta marrin jashtë. Leverdia e tyre është ta gjejnë këtu këtë lëndë të parë, por ne ende nuk i ndajmë mbetjet, prandaj duhet ta bëjmë sa më shpejt sistemin e administrimit të mbetjeve tona që imponon ky ligj. Nejse. Kryesorja është që ne nuk marrim mbetje pra nga jashtë, mund të marrim thjesht materiale të tilla, lëndë të parë dytësore siç quhet, dhe këtë e bëjmë nën një proces të rreptë transparence të kontrollit të marrjes së lejeve të importit çdo vit. Këtë kontroll dhe transparencë, në fakt, e kemi kërkuar që vjet në tetor ne përfaqësuesit e shumë shoqatave mjedisore që ishim të shqetësuar për Listën e Gjelbër, dhe tashmë ky kontroll është futur në proc

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›