E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse të gjithë përgjojnë Ilir Metën?

Share

Nga Mero Baze

Përsëri personazh i medies, përsëri për përgjime, përsëri për miliona, përsëri duke përdorur postin e tij. Ilir Meta, ky personazh rekord i skandaleve financiare dhe politike në Shqipëri, tashmë po trondit Italinë, por jo qeverinë e tij në Tiranë. Ministri i Jashtëm Franko Fratini, i cili është dhe kumbara e kësaj qeverie, është detyruar të shesë Ilir Metën duke theksuar se Lavitolën e ka njohur prej Ilir Metës, i cili e ka njohur atë vite më parë. Në fakt dhe po ti referohesh bisedës së përgjuar të Lavitolës me sekretaren e Fratinit në një moment ai i thotë se Metën e njoh dhjetë vite më parë.

Tani kjo çështje po trondit qeverinë italiane dhe ka vënë në siklet Franko Fratinin, praktikisht njeriun të cilën Evropa e njeh për më shumë se Ministër të Jashtëm të Italisë. Ai tani duhet të japë shpjegime për stilin e punës së ish- zëvendëskryeministrit shqiptar dhe kapjen e shtetit prej sekserëve, dhe mbi të gjitha për hollësitë që duhet të dinte sekseri i tij dhe Ilir Metës për faktin që në Shqipëri do të bliheshin deputetë për të qëndruar në këmbë pushteti i Sali Berishës.

Por duke u rikthyer tek problemi ynë, tek problemi i përfshirjes se mafies në politikë dhe blerjes së pushtetit, ne na del përsëri përpara Ilir Meta, të cilin Gjykata e Lartë e Tiranës po përpiqet ta shpëtojë nga burgu duke i inspektuar një video të parë dhe stërparë nga ekspertë amerikanë dhe britanikë, që betohen për profesionin dhe jo për kokë të Sali Berishës.

Ilir Meta u bë personazh i video-skandalit fillimisht nga një bisedë e regjistruar me vetëdije në zyrën e ish- ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili ishte vënë nën presion prej tij për kontrata korruptive dhe ishte shantazhuar politikisht. Por pas asaj videoje, e cila tronditi Shqipërinë dhe çoi qytetarët në një protestë të përgjakshme ku Sali Berisha me Lulëzim Bashën u desh të vrisnin katër vetë për të shuar protestën, u shfaqën dhe video të tjera të bashkëpunëtorëve të Ilir Metës. Homologu i Lavitelës në Shqipëri, Fahri Balliu, është regjistruar në të njëjtën tavolinë, në të njëjtën zyrë dhe pamje si Ilir Meta duke kërkuar ndere për biznesmenë rusë për tregtinë e skrapit dhe duke premtuar bakshishe deri në 500 mijë dollarë. Përsëri përmendet si garant i pazarit Ilir Meta. Diku bëhet fjalë për një hidrocentral ku biznesmeni i premton Ilir Metës 700 mijë euro. Diku tjetër bëhet fjalë për një tender të virginës ku sërish i premtohet Ilir Metës. Tashmë ky personazh ka kaluar kufijtë tanë shtetërorë dhe po bën lëmsh gjithë Italinë me premtimet që u ka bërë sekserëve të tij me qeverinë italiane, për gazsjellësa, hidrocentrale dhe gjithçka tjetër. Lavitola, ky personazh i nëntokës politike italiane që punon në media, ka vëllezër shumë herë më të kualifikuar dhe më të suksesshëm në Shqipëri, që jo vetëm nuk janë nën hetim siç është ai në këto momente, po krekosen nëpër ekrane televizionesh dhe faqe gazetash se askush nuk mund ti prekë sa të kenë pushtetin. Të gjithë këta sekserë, Lavitolët italianë dhe shqiptarë, çuditërisht të gjithë kanë punë me një njeri në këtë vend, me Ilir Metën. Me atë diskutojnë për hidrocentrale, gazjellësa, skrap, naftë, reparte ushtarake për tu privatizuar dhe gjithçka tjetër. Ndaj për këtë arsye të gjithë përgjojnë Ilir Metën si brumbullin kryesor të qeverisë, të cilin po ta ndjekësh e ke të sigurt që të çon tek një pirg me pleh. Atë e përgjojnë të gjithë mes të tjerash se nuk ja kanë besën si zyrtar, ngaqë e njohin për pazarxhi, e përgjojnë se nuk janë kanë besën si qytetar, pasi e njohin për hileqar të pabesë, por mbi të gjitha e përgjojnë për ta pasur peng në finale. Është kjo arsyeja që ai duhet të shkojë nga gjyqi në gjyq, të blejë gjithë sistemin e drejtësisë për ti shpëtuar hetimit dhe pastaj gjykimit. Dhe sapo këto punë i mbylli këtu brenda, skandali shkon i plas në Itali, atje ku nuk thotë dot dua ekspert nga ata që i njoh unë të bëjnë ekspertizën e kasetës dhe as dërgon dot Lavitolat e tij me pare natën për të blerë gjykatës apo prokurorë. Historia e tij po i ngjet pak nga pak një personazhi Big Brother-i, që lëviz i përgjuar në çdo zyrë ku bën pazare dhe në çdo vend ku shkel jashtë zyre. Atë e përgjojnë të gjithë, ngaqë të gjithë e dinë se ai është atje për të bërë para dhe jo për të bërë shtet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›