Ja çfarë humbasim nga kursi i këmbimit/ Sipërmarrësi Filip Gjoka: Nga pagat, taksat dhe lënda e parë

Kursi i këmbimit të monedhës shqiptare me monedhat e huaja, si Euro dhe Dollar (USD), ka vijuar të penalizojë ndërmarrjet shqiptare të eksporteve.
Dëmi është i konsiderueshëm, nisur nga kohëzgjatja e rënies së pandërprerë të vlerës në tregun e lirë të valutave, por edhe nga pamundësia për të reaguar, qoftë autoritetet, qoftë sipërmarrjet, për një zgjidhje me më pak pasoja ekonomike.
“Çdo kompani që bën 50 mijë deri në 1 milion euro humb minimumi 50 për qind,” thotë sipërmarrësi Filip Gjoka.
Qeveria dhe banka qendrore nuk ndërhyjnë, duke e quajtur fenomenin një ligjësi të tregut të lirë dhe fleksibël të këmbimit.
Bizneset nuk kanë mundësi të axhustojnë kontratat e tyre të biznesit, që janë lidhur në afatgjatë dhe me kurs këmbimi të pandryshuar.
Bankat ofrojnë kontratat e së ardhmes, që nuk ndikojnë në zgjidhjen emergjente dhe, si të tilla, mbeten vetëm në letër.
“100 për qind të lëndës së parë e blejmë me lekë brenda Republikës së Shqipërisë. 30 kosto që kemi në prapavijë, si pagat, sigurimet, nafta etj. të gjitha janë shpenzime në lekë. Këmbimi në Euro dhe në Dollar na sjell një vështirësi mjaft të madhe,” shprehet Gjoka.
Sakaq, konsultimet mes grupeve të interesit vijojnë pa ndërprerje, së bashku me letrat zyrtare që shkëmbehen sot e gjithë ditën, bizneset po vuajnë pasoja që nuk ofrojnë aspak optimizëm.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/