E Martë, 3 Nëntor 2026

Në tetor gati projekti i Porto-Romanos/ Kompania holandeze lajmëron se është në përfundim

Ndërtimi i një porti të ri mallrash në Porto-Romano për t’i hapur rrugë portit të jahteve në Durrës, tashmë po bëhet realitet. Lajmin e bën të njohur kompania projektuese holandeze. Si pjesë e planeve të saj të modernizimit dhe zgjerimit për kompleksin portual Durrës – Porto-Romano, Qeveria e Shqipërisë kërkoi të ndërtonte këtë port që të merrte përsipër trajtimin e ngarkesave dhe logjistikën, për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kompania projektuese tha se vendi i zhvendosjes paraqiste shumë sfida të rëndësishme hapësinore dhe gjeoteknike për t’u marrë parasysh. Projekti kërkonte studime të gjera fizibiliteti dhe teknike për të gjetur një qasje të sigurt dhe të qëndrueshme. Duket se tashmë kjo është realizuar dhe se muaji tetor do të jetë muaji i një projekti të gatshëm.

Sipas kompanisë holandeze, Porto-Romano do të bëhet porti më i madh detar i Shqipërisë, duke ofruar një strukturë mallrash të klasit botëror për bizneset e rajonit dhe duke shtrirë përfitimet ekonomike në të gjithë Evropën Juglindore.

Porti i ri në Durrësit në Porto-Romano, i integruar me projektin e hekurudhës Durrës–Prishtinë dhe portin e thatë në Prishtinë, përveç rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve pritet të kthejë Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut. Sipas projektit të ri, deri në vitin 2050 pritet të trajtohen deri në 100 mijë kontejnerë në Portin e Thatë në Prishtine. Parashikohet që veprimtaria e portit të fillojnë në vitin 2025. Porti i Porto-Romanos do t’i ketë 400 hektarë sipërfaqe me një kapacitet prej 2 milionë kontejnerë deri në 50 milionë tonelata. Po ashtu, do të ketë 1 milion udhëtarë, ku distanca deri në Prishtinë do të jetë 265 kilometra.

Sakaq, Porti i hidrokarbureve në Porto-Romano funksionon prej vitit 2015 falë një kontrate koncesionare 35-vjeçare me qeverinë shqiptare. Në vitin 2020, qeveria e amendoi kontratën dhe i dha kompanisë koncesionare Porti MBM edhe të drejtën e zgjerimit të aktivitetit si një port tregtar.

Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave në korrik 2019, ky port u shpall gjithashtu zonë e lirë ekonomike për tregti ndërkombëtare pa taksa, në një territor prej gati 1 milion m2.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›