E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja çfarë të bën fuqia e qytetarëve (dhe një shembull për Shqipërinë)

Para pak ditësh një qytetar kosovar foli për mediat e Prishtinës, i irrituar me atë që i kishte ndodhur në Shqipëri.

Tha se e kishin grabitur në mes të ditës, përpara dhjetëra njerëzve, madje e kishin dhunuar dhe plagosur.

Por askush nuk lëvizi gishtin për të bërë diçka për kosovarin, që ka mbetur shumë i zhgënjyer nga shteti amë.

Një shembull që vjen këto ditë nga Britania e Madhe tregon se çfarë mund të bëjë fuqia e qytetarëve.

Bëhet fjalë për një qytet të quajtur Louth, i shpallur së fundmi edhe si qyteti më i mirë për tregjet në Britani.

Mediat po e etiketojnë atë si qyteti i kurajës, pasi qytetarët i bënë ballë dy grabitësve të armatosur, duke i dorëzuar përpara policisë.

Çfarë ka ndodhur?

Në qershor të këtij viti, Christopher London. 25 vjeç dhe Damion Clark, 30 vjeç, hynë në një argjendari të armatosur me çekiçë dhe një thikë.

Por pronarja trime e dyqanit, Julie Smith, shtypi alarmin duke i mbyllur të gjithë ata brenda.

Ata nisën të thyejnë xhamat e dyqanit për të dalë, por përpara ishin bërë barrikadë disa njerëz.

Smith tentoi të largohej në katin e sipërm, por ata e tërhoqën poshtë dhe ajo hapi derën.

Hajdutët zbuluan se qytetarët u kishin rrëzuar motoçikletën dhe u kishin marrë çelësat.

Atëherë u nisën me shpejtësi drejt një parkingu dhe tentuan të rrëmbejnë makinën e biznesmenit në pension, Eric Chapman. Ai refuzoi dhe ata e qëlluan me thikë në vetull. Edhe pas kësaj, ai nuk ua dha çelësat.

Qytetarët, përfshi një polic në pension, arritën të kapin një prej hajdutëve tek parkingu, por tjetri iku në drejtim të një shkolle fillore. Aty nëndrejtori i shkollës i doli përpara dhe u përplas fizikisht me të. Pak më vonë, policia e arrestoi hajdutin.

Prokurori i çështjes tha se ky është një shembull i jashtëzakonshëm i fuqisë së popullit.

Dy hajdutët janë dënuar njëri me 4 dhe tjetri me 6 vjet burg./ep

1

2

3

4

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›