Ja pse policia nuk qe e përgatitur për operacion
ARRESTIMI I DAJTIT
Efektivët që morën pjesë në arrestimin e Dritan Dajtit, të premten e kaluar ishin nisur për një operacion tjetër pranë Durrësit.
Vëzhguesit mbikëqyrnin prej ditësh kunatin e Dajtit, ndërsa veprimi u urdhërua momentin e fundit
TIRANE - Burime të Policisë së Shtetit, konfirmojnë se në operacionin e Durrësit janë vërejtur disa defekte dhe gabime që në fakt iu kushtuan jetën katër efektivëve të policisë. Të gjithë këto ditë pyesin pse? Përgjigjja me sa duket është në një fakt që deri më tani i ka shpëtuar vëmendjes.
Të premten e javës së kaluar, një pjesë e këtyre efektivëve që u dërguan në plazhin e Durrësit, ishin të angazhuar për realizimin e një tjetër operacioni në një qytet tjetër, të një shkalle vështirësie më të ulët dhe me rrezikshmëri shumë herë më të ulët.
Një burim i rezervuar pohoi dje se atë ditë, Njësitë Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të Policisë së kryeqytetit, kishin një operacion tjetër të Antikrimit Ekonomik, me qëllim goditjen e një veprimtarie kriminale që kishte të bënte me korrupsionin e disa zyrtarëve lokalë në një qytet pranë Durrësit.
Vetëm një pjesë e këtij reparti, ka qenë e angazhuar në mbajtjen në mbikëqyrje dhe në vëzhgim të lëvizjeve të Erges Xhoxhit, kunati i Dritan Dajtit, për të zbuluar vendndodhjen e mundshme të Dritan Dajtit. Pra grupi në tërësi, ka qenë i papërgatitur për goditjen e plazhit.
Kjo shpjegon edhe më mirë faktin pse disa prej efektivëve të Policisë madje pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të paveshur me mjete mbrojtëse jelekë antiplumb në të cilin ka edhe shenja dalluese dhe identifikuese me mbishkrimet "POLICIA", ose GOS ( Grupi i Operacioneve Speciale).
Mësohet gjithashtu se Dajti ka qenë nën vëzhgimin e agjentëve të Policisë së Shtetit disa kohë më parë deri kur iu kishte humbur efektivëve që e vëzhgonin për herë të fundit në një banesë pranë rrugës "Komuna e Parisit", në kryeqytet. Ndërhyrja dhe realizimi i operacionit është urdhëruar shumë pak kohë përpara kryerjes së tij.
Dajti, sekondat e tensionit, kur mund ta kishin vrarë gjatë arresttit
Të njëjtat burime kanë konfirmuar për "Shekullin", edhe një detaj të minutave të masakrës.
Drejtori i Hetimit të Krimit të Organizuar, në Policinë e Shtetit, Arjan Muça, është personi që i ka "shpëtuar" jetën Dritan Dajtit, kur ai ishte paralizuar dhe plagosur rëndë, pas shkëmbimit të zjarrit. Kur Dajti ishte i plagosur dhe i neutralizuar, Muça, iu ka kërkuar kolegëve të tjerë të pushonin zjarrin.
Kur oficerët janë afruar për t'i vënë prangat të kërkuarit tashmë të plagosur, ka patur momente tensioni.
Një prej efektivëve ka vepruar emocionalisht ndaj Dajtit, për shkak të vrasjes së katër shokëve, duke qëlluar në drejtim të tij me shkelma dhe sende të forta. Dajti ka nisur ta shajë duke i thënë që ta vriste dhe mos ta godiste ashtu.
Ndoshta në atë moment, ka ndjerë se mund të qëllohej vërtet dhe befas është kthyer dhe i ka kërkuar ndihmë Muçës duke i thënë: Më shpëto jetën.. Ndërsa pjesa tjetër e agjentëve ka ndaluar kolegun e nervozuar para se të bënte hapin final.
Fill pas këtij veprimi, Dajtit i kanë vënë prangat. Një tjetër oficer i ka mbyllur gjakderdhjen që kishte në shpatull me një rrobë, ndërsa më pas e kanë nisur në drejtim të spitalit të qytetit të Durrësit.