E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjigje për pyetje që për fat të keq nuk i bëjmë

Libri "Nga jeta dhe vepra e Jovan Adamit" na e zgjon këtë kureshtje


Për mua leximi i kësaj përmbledhjeje ka qenë një zbulim. Një emër që nuk më kishte rastisur ta dëgjoja, befas bëhet një emër që do të thotë shumë.


Natyrisht jemi ne që nuk e kemi njohur që jemi të vonuar. Sepse studimet e tij shkencore, shënimet e udhëtimit, shkrimet publicistike etj. ishin aty të botuara. Me vlerën e tyre të sigurt. Me vlerën e tyre të qëndrueshme, që e ruajnë rëndësinë për të sotmen e për të ardhmen.


Punë e bërë me përgatitje, me pasion, me durim, me qëndrueshmëri. Interesa që diktohen gjithnjë nga dëshira për të qenë i dobishëm për shkencën, por kjo në shërbim të njohjes së vendit të vet, me synim përparimin e tij.


E gjithë përgatitja si njeri e si shkencëtar e Jovan Adamit mban vulën e këtij përkushtimi. Është një rast fatlum për vetë njeriun e për vendin të cilit i përket kur bashkohen këto dy virtyte: dashuria për atdheun dhe dashuria për punën.


Qe shenjuar nga puna qysh në rininë e tij. Ajo plagë e marrë në sy prej një cifle guri, ndërsa ndihmonte të atin gurskalitës, e shenjoi për gjithë jetën duke e paracaktuar të bëhej një punëtor i palodhur.


Ajo shenjë e zbukuron Jovan Adamin. Se kështu janë edhe shenjat që i lë përvoja njeriut. E njëjta plagë dikë mund ta zbukurojë e dikë ta shëmtojë. Varet nga rrethanat në të cilat është marrë. Rrethanat ku lindi e mori mësimet e para për jetën e brumosën me virtyte, e mësuan të ketë gjëra të shenjta, e përgatitën për synime të larta, të ketë karakter besnik, të jetë njeri i ndjeshëm...


Meraku dhe porosia e të atit që ta shihte njeri të vlefshëm për vendin u bë busulla e jetës së tij. I tejkaloi madje shpresat e të atit. Se nuk u mjaftua me studimet si inxhinier...Në ç'fushë të veprimtarisë intelektuale ta kategorizosh Jovan Adamin? Inxhinier, arkeolog, historian, gjeolog...apo shkrimtar?


Çekiçi i gurskalitësit i të atit u bë në duart e tij çekiçi i arkeologut, i gjeologut. Kur lexon punimet e Jovan Adamit në këto fusha të shkencës së historisë sheh se sa shumë i ka interesuar Shqipëria.


Sa shumë ka dashur ta njohë. Në shënimet e udhëtimit shohim sa kureshtar është të njohë shqiptarët e Shqipërinë e kohës së vet. Në punimet arkeologjike i drejtohet së kaluarës, mesjetës, lashtësisë antike.


Por as kjo nuk i mjafton. Vështrimi i tij nuk ndalet as këtu. Shkon thellë e më thellë kohërave, duke ia kërkuar gjurmët truallit të sotëm shqiptar atëherë kur koha nuk matej me shekuj, por me tjetër masë kohore: me etapa tokëformuese.


Atëherë kur kjo zonë gjeologjike nuk e kishte vendosur ende pamjen që donte të merrte: të rrinte sipërfaqe ujore apo të kthehej në tokë të fortë. Derisa i dha karar ta zmbrapste detin dhe të bëhej ky truall i bukur ku jetojmë sot.


Pse lumenjtë tanë janë të rrëmbyeshëm? Pse në malin e Dajtit gjenden fosile guaskash? Pse malet tona kanë këtë formë e jo tjetër? Etj, etj. Në këtë libër do të gjejmë përgjigje për pyetje që për fat të keq nuk i bëjmë.


Libri i Jovan Adamit na e zgjon këtë kureshtje. Se autori nuk është mjaftuar të studiojë librat e shkencëtarëve të tjerë përpara tij: të Degrandit, Ipenit, Tregerit, Novakut...Duke ndjekur gjurmët e tyre i ka shkelur edhe vetë vendet që shkelën ata. Por shkoi edhe më tej.


E vazhdoi endjen nëpër Shqipëri, duke shkelur vende të reja e duke bërë zbulime të reja arkeologjike, vetëm apo me bashkëpunëtorë.


Kështu, cilësimit tokë e lashtë, vend i lashtë, që i bëjmë truallit shqiptar në mënyrë të thatë e me përsëritje monotone që ia zbehin kuptimin, ai i jep gjallërinë e peshën e duhur, ngaqë e demonstron atë që thotë.


Mund të themi me bindje se qe interesi i madh që i ngjallte Shqipëria, ajo e kohës së vet, e kaluara e afërt, e largët dhe shumë e largët që e shtyu të merrej me shkencat që i jepnin mundësi ta njihte gjatë gjithë ekzistencës së tij të stërlashtë vendin ku kishte lindur. Pse kjo dëshirë për njohje? Se kur e njeh vendin e do më shumë, e ndien më të afërt.


Jo vetëm ta njihte por edhe të përpiqej me gjithë shpirt e me gjithë aftësitë e tij ta përmirësonte e ta bënte të përparuar.


Po sa shumë gjëra duheshin ndrequr në këtë vend të bukur por të vështirë. Jovanit qysh në të ri të tij i mbushet shpirti me hidhërim kur vëren begatinë e truallit shqiptar dhe varfërinë e banorëve të tij.


Të gjitha ato gjëra të dobishme e të bukura që ka mësuar e parë në një vend aq të zhvilluar si Austria ai do që t`i shohë edhe në Shqipëri.


Do që ta shohë shqiptarin të ditur, të ndershëm, krahëpërveshur, mendjehapur, që të pranojë përvojat e përparuara e të heqë dorë nga mendësia fataliste se ky vend s'bëhet. Jovan Adami jo vetëm e dëshironte këtë ndryshim por edhe vepronte për ta arritur.


Gjente forma për të ndriçuar mendjet, duke futur ca dituri në kokat që s`duan të lodhen. Me këtë synim boton libërthin shkencor divulgativ për botën dhe origjinën e njeriut. Përgatit përkthimin e përrallave shkencore për fëmijë etj.


Ngre në shtyp probleme shoqërore, të ditës, të cilat nuk mjaftohet vetëm t'i ngrejë por edhe të përpiqet t'u gjejë zgjidhje. Është psh problemi i shpyllëzimit.


Pasi thekson me forcë e me fjalë bindëse dëmin nga kjo dukuri kaq e përhapur, duke kujtuar se prishja e pyjeve është prishje e qytetërimit, propozon masa efektive, siç është propozimi për të caktuar "një festë një herë në mot në tërë shtetin ku të gjithë të mbjellin nga një pemë". Me këtë rast përmend shembullin e Bullgarisë. Gjatë pushtimit otoman një vend i zhveshur.


Me pavarësinë u kthye në një pyll të madh. Fjala e Jovan Adamit në themelimin e shoqërisë Përparimi të Voskopojës, mund të mbahet edhe sot, pa i lëvizur asnjë presje, nëse do të na lindë në zemër të ngrejmë shoqëri të tilla për mbrojtjen dhe zhvillimin e pyjeve.


Atdheun nuk e mendon si një vend ku vetëm mund të vegjetohet. Kërkon cilësi jete. Prandaj sugjeron për shtëpitë e Korçës: "Shtëpitë duhet të jenë të qeshura e jo të thella e të errëta si burg.


Një vend i tillë i mbyt ndjenjat e njeriut, e bën atë të mërzitur e armik të dritës." Dhe përfundon me metaforën e bukur: "Njeriu është bima që ka më tepër nevojë për erë dhe dritë".


Këto shënime janë një pjesë fare e vogël e mbresave të forta që të lë ky libër. Lexuesi do të vlerësojë ndër të tjera sa shumë i përgjigjet aktualitetit ai. Se nuk është se gjërat kanë ndryshuar shumë.


Sepse nuk ka bërë ndonjë hop cilësor përpara mendësia jonë. Madje me raste ka shkuar edhe prapa. Do të përmend këtu sesi është vlerësuar dikur nga institucionet shtetërore veprimtaria e Jovan Adamit, për ndërtim ujësjellësish, për planifikim e ndërtim rrugësh, etj.


Për t`i bërë sot një vlerësim kësaj figure, shembulli i së cilës duhet të jetë frymëzues për brezat e rinj, më e pakta që mund të bëjnë institucionet shtetërore është të pagëzojnë një rrugë, a një ujësjellës a një shkollë me emrin e tij.


Në mbyllje, nuk ka si të mos çmosh punën e përkushtuar të bashkëshortëve Vita dhe Taqo Adami, për ta përmbledhur në një vëllim këtë trashëgimi të pasur shkencore, sociologjike, letrare, çka na dha kënaqësinë e njohjes së saj.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›