E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pse qëndrojmë të bashkuar dhe të gëzuar

Gazeta Shqip

Një çift që ka marrëdhënie të qëndrueshme jeton më mirë, ka më pak stres dhe është i prirur të provojë sfida të reja. Këto janë fjalët e neuroshkencëtarëve

Të mban në formë, të bën të jetosh më mirë dhe të largon stresin. Pra, është më e mirë se sporti… Një lidhje e gjatë na bën të ndihemi mirë nga shumë këndvështrime. Edhe fakti që sapo kemi rënë në dashuri, apo që jetojmë bashkë prej 20 vjetësh nuk përbën ndonjë ndryshim të madh. Personat me lidhje të gjata mund të provojnë tërheqje dhe emocione të mëdha ndaj partnerit, shpjegon Bianca Acevedo, studiuese në Stone Brook University (SHBA). Acevedo ka studiuar dashurinë romantike te çiftet që kanë lidhje të gjata dhe thekson se pavarësisht teorive që lidhja është e destinuar të përfundojë ose të shndërrohet me kalimin e kohës në diçka të ngjashme me miqësinë mund të zgjasë edhe një jetë.

Acevedo dhe studiues të tjerë amerikanë e kanë vërtetuar këtë fakt, duke përdorur rezonancën magnetike, funksionale te një grup vullnetarësh, ku bënin pjesë burra dhe gra, të cilët kishin 21 vjet martuar. Sa herë që ata shikonin fotografitë e partnerëve të tyre ose të subjekteve të tjerë, deklaronin se ishin akoma të dashuruar. Marrëdhëniet e tyre u krahasuan me ato të personave që ishin në fillim të një pasioni. Vumë re shumë ngjashmëri mes personave që duheshin prej kohësh dhe atyre që sapo ishin dashuruar, komenton Arthur Aron, studiues në Stone Brook University dhe një ndër autorët e studimit. Te të dy grupet, sapo shfaqej i dashuri, ose e dashura, vërehej një aktivizim i fortë i zonave cerebrale të pasura me dopaminë. Gjithashtu, personat e bashkuar prej kohësh kanë edhe një avantazh tjetër: te ata nuk funksionojnë ngacmimet që janë të lidhura me zonat e ankthit dhe të frikës. Kjo do të thotë se këto subjekte nuk kanë tension dhe mendime negative, shton Bianca Acevedo. Përkundrazi, fakti që dy persona duhen prej shumë kohësh të qetëson. Është shenja e afërsisë me personin që je i lidhur që të jep qetësi dhe paqe. Dhe kjo nuk ndodh vetëm te çiftet që jetojnë prej vitesh bashkë, por edhe te ata që respektojnë hapësirat e autonomisë, shton studiuesja.

Edhe shëndeti ka përfitimet e veta nga lidhja e gjatë

Në përgjithësi, personat që qëndrojnë gjatë me të njëjtin partner kanë disa avantazhe: jetojnë më gjatë, sëmuren më pak, nuk vuajnë nga çrregullimet psikiatrike dhe kryesorja ,e kanë më të lartë nivelin e kënaqësisë. Të gjitha këto janë vërtetuar nga shumë kërkime shkencore. Ndonjë shembull? Një grup studiuesish të drejtuar nga Kathleen King, University of Rochester (SHBA) ka treguar se personat që kanë një martesë të lumtur, kanë tre herë më shumë mundësi për të jetuar më gjatë, 15 vjet pas ndërhyrjes së një bypass-i në krahasim me personat e pamartuar. Mbështetja e një partneri, mes të tjerave, mund të jetë e nevojshme për të mbajtur një stil të shëndetshëm jetese.

Darko Maestripieri, studiues në University of Chicago ka vënë re se personat e martuar ose ata që bashkëjetojnë prej kohësh, kanë nivele më të ulëta kortizoli, hormoni stresit, ndaj një situate që kërkon angazhim. Edhe pse martesa mund të jetë stresuese, ua bën më të lehtë njerëzve menaxhimin e faktorëve të stresit në jetë, thotë Maestripieri.

Fazat e dashurisë

Si shpjegohen të mirat e të qëndruarit bashkë? Duke krijuar një raport me një person të veçantë, e duke mos e zëvendësuar atë me të tjerë, fillimisht kënaqet nevoja jonë e sigurisë. Kjo është një nevojë parësore, shpjegon një psikiatër dhe psikoterapeut. Kontakti dhe kujdesi emocional mund të kushtëzojnë ekzistencën e vetë individit. Në fund të fundit dashuria e çiftit ka karakteristika të ngjashme me marrëdhënien mes një nëne dhe fëmijës së saj, i cili varet nga ajo. Kujdesi në marrëdhënien e çiftit përshkon disa faza të ndryshme: nga rënia në dashuri (faza e emocioneve të forta, eksitimit, e kontakteve të shpeshta fizike), te dashuria (kalimi në kufirin emocional dhe intimitet, ku afërsia fizike veç të tjerash të jep qetësi), e deri te periudha postromantike, që është ajo e afërsisë emocionale dhe intimitetit psikologjik, ku partneri tashmë bëhet një bazë e sigurt. Pastaj vijon një objektiv i ri pune, kultivimi i interesave, krijimi i miqësive: gjithçka është më e thjeshtë nëse beson te mbështetja e një partneri. Në fakt, personat e çdo moshe janë të prirur ta eksplorojnë më lehtë mjedisin nëse/dhe kur e dinë se kanë një figurë të këndshme dhe inkurajuese, thotë një studiues nga universitet La Sapienza në Romë.

Menaxhimi i konflikteve

Marrëdhënie e gjatë nuk do të thotë që përherë të shkosh mirë: inati dhe zënkat janë të pashmangshme. Para se të konsolidohet lidhja, të gjitha çiftet kalojnë një periudhë zhgënjimi, një krizë që përcakton kufijtë e tjetrit. Ky problem fillon të shfaqet rreth vitit të katërt të lidhjes, thekson psikoterapeuti. Vetëm kur kapërcejnë momentin kritik, dy partnerët fillojnë të përfaqësojnë për njëri-tjetrin një burim të sigurt psikologjik; një investim të vërtetë emocional. Nga një studim në Universitetin e Uashingtonit u zbulua se fundi i një marrëdhënieje mund të parashikohet kur sheh për disa minuta dy partnerët duke u zënë: ndryshimin e bën aftësia e tyre për ti rregulluar gjërat pas zënkës.

Sfida

Në një kohë kur dy partnerët nuk janë më bashkë, sepse ashtu duhet, kërkimi i një partneri të ri kur sapo nisin vështirësitë e para, mund të duket si e vetmja rrugëzgjidhje. Por nëse nuk sqarohen arsyet që sollën krizën, ato rrezikojnë të shfaqen edhe në lidhjen e re. Duke vepruar kështu përfundoni duke përsëritur të njëjtat gabime, thekson psikoterapeuti. Ndërkohë psikologët e University of California, në Los Angeles, analizuan 172 çifte për 11 vjet dhe zbuluan se, që një lidhje të zgjasë duhet angazhimi i të dyve partnerëve që ta bëjnë të funksionojë, edhe me koston e sakrificave dhe kompromiseve. Veç kësaj, sfida është edhe me veten: për shembull a dimë të debatojmë? Si e trajtojmë partnerin? Më mirë se sa të ndërrojmë partner, duhet të analizojmë veten dhe veprimet tona.

Ja pse qëndrojmë të bashkuar dhe të gëzuar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›