E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja si funksionon "Thumb"

Aulona Musta e Fatma Haxhialiu me emisionin “Thumb” janë të parat që e kanë provuar duke çelur një kanal në You Tube, ku publikojnë çdo ditë një episod të ri të emisioneve të tyre dhe tashmë numërojnë mijëra fansa. Dhe ato vetë janë kthyer në personazhe. Për vetëm pak muaj. Sepse gjithçka teknologjike ecën shpejt!

Në këto programe, prezantueset, që janë gjithashtu ideatore dhe realizuese të programit që prezantojnë, kapin një ngjarje, një lajm apo një thashethem që ka bërë bujë, ose një personazh të njohur nga (pseudo)arti e televizioni dhe e komentojnë sipas mënyrës së tyre, duke ironizuar e thumbuar.

Edhe pse kur ky emision ishte vetëm një ide dhe ato ua ofruan disa televizioneve, askush nuk e mori përsipër. Sikur të mos ishte për alternativat që kanë në kokë si shkaqe për këtë refuzim, që e prisnin në një farë mënyre që në krye të herës, ndoshta do ishin zhgënjyer. Por nuk ishte rasti.

“Televizionet nuk u treguan të gatshëm për ta pranuar si format, mbase nuk u është dukur mjaftueshëm interesant, mbase nuk kanë dashur të rrezikojnë, mbase personat përgjegjës për vlerësimin dhe përzgjedhjen e formateve dhe programeve të reja nuk janë mjaftueshëm kompetent për ta bërë këtë punë dhe projektet që u jepen hidhen në koshin e plehrave pa u parë fare…. ”, thotë Aulona për "Mapo"

Ngjan që mbi web-in hidhen akuza pa fund për të këqijat që mbart, që janë mëse reale në fakt, por ka dhe raste si ky, që shtojnë një të mirë më shumë në anën tjetër të peshores së kësaj hapësire të lirë, një vend në të cilin nuk kërkon as famë e as pasuri për t’u blerë. Në të vërtetë është më shumë se e thjeshtë dhe pa ndonjë kosto të madhe.   Kështu ka qenë edhe për Aulonën dhe Fatmën. Ato lidhën një kontratë me Arkiva Shqip dhe përfaqësuesin e YouTube në Gjermani, pasi, siç thonë, nuk realizohet dot në Shqipëri. Nevoja për pajisje dhe insfrastrukturë është gjithashtu minimale. “Për xhirimet shërben një kamera, dritat për ndriçimin patjetër, kompjuteri ku bëhet më pas dhe punimi i videove, duke qenë se pjesë e tyre janë edhe insertet, fotot dhe efektet e ndryshme, që kanë nevojë të punohen në postproduksion dhe me këtë pjesë merret djali që është specialist për këtë punë”, vazhdon Aulona, e cila së bashku me Fatmën xhirojnë dy herë në javë nga 3-4 episode, në mënyrë të tillë që çdo ditë të javës të lançojnë një episode të ri në Nitro Shqip.    Për sa i përket të ardhurave të kësaj sipërmarrjeje, sepse ajo është e tillë, ato grumbullohen nëpërmjet dy mënyrave: klikimeve dhe reklamave. Në momentin që lidh kontratë me YouTube, për çdo klikim fitohet një kuotë e caktuar centesh, por që ndryshon nga vendi në vend. Kur bëhen nga Shqipëria, kanë vlerë thuajse të pallogaritshme. Për sa i përket mundësisë që ato të marrin reklama në kanalin e tyre, është sigurisht e hapur dhe me 14 mijë klikime që bëhen çdo ditë në këtë faqe, me siguri investitorët nuk do vonojnë, por ka dhe një mundësi tjetër fitimi.
Një pjesë e të ardhurave, dhe pse të vogla, sigurohet me anë të reklamave që vetë youtube vendos. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›