Jagxhilar: Viti 2013 do të jetë viti i zbatimit të reformave

Ministria e Administratës Publike, thotë se e ka përmbyll me sukses vitin që po e lëmë pas. Ministri Mahir Jagxhilar, në takimin e fundit me gazetarët për këtë vit, ka numëruar të arriturat por edhe sfidat që do ta presin Ministrinë e tij gjatë vitit të ardhshëm, ku kryesore mbetet reforma në Administratën Publike.
Pavarësisht sfidave dhe vërejtjeve për ngecje në Administratën Publike, kjo Ministri thotë se vitin 2012, po e përmbyll me sukses. Ministri Mahir Jagxhilar, në konferencën e fundit, tha se më tepër është punuar në kompletimin e infrastrukturës publike. Ndërsa, në vitin 2013, ai tha se do të fokusohen në reformimin e administratën publike.
“Gjatë vitit 2012 i kemi aprovuar të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore. Me këtë ne e kemi krijuar një bazë të mirë ligjore. Ndërsa, viti 2013, do të jetë viti i zbatimit të reformave në administratën publike”, tha Jagxhilar.
Ndërkaq, rreth kritikave të ministres për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, e cila fajin kryesor për ngecje dhe vërejtje të shumta në Raportin e Progresit për vitin 2012 e kishte hedhur tek administrata publike që, sipas saj është e politizuar, ministri Mahir Jagxhilar tha se është duke u punuar që të krijohet një infrastrukturë ligjore dhe efektive për klasifikimin e vendeve të reja të punës.
“Pas klasifikimit të vendeve të reja të punës dhe organizimit, sepse këto janë çështje të reja, ne do të kemi një pasqyrë më të qartë për vlerësimin e stafit”, tha Jagxhilar, transmeton RTK.
Megjithatë, sfidë e Ministrisë së Administratës Publike për vitin 2013, mbetet ngritja dhe forcimi i kapaciteteve njerëzore për procesin e integrimit evropian./Indeksonline/