E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Demokracia varet nga puna e gjyqtarëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua të mërkurën me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.
Jahjaga vlerësoi se niveli i demokracisë dhe funksionimi i sistemit gjyqësor në Kosovë varet në masë të madhe, nga puna e gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët duhet të jenë të paanshëm, të ndershëm dhe të pa kompromis në zbatimin e ligjit.
 

Në njoftimin për shtyp deklarohet se kryesuesi i Këshillit Gjyqësor e njoftoi presidenten me punën që po bën Këshilli, sikundër dhe me angazhimet e tij në fushën e gjyqësorit në Kosovë.
 

Presidentja Jahjaga tha se pavarësia dhe paanësia e sistemit gjyqësor është një nga shtyllat e demokracisë në vend.
Sipas saj, Këshilli Gjyqësor luan një rol kyç në përzgjedhjen dhe caktimin e gjykatësve që duhet bërë me kritere profesionale, bazuar në etikën e profesionit dhe në respektimin e kritereve të përfaqësimit nacional dhe gjinor.
 

Ndërkaq, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor theksoi se kanë një bashkëpunim të mirë me institucionet e tjera të drejtësisë në Kosovë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›