Jahjaga: Kosova do përkrahje, që të mos mbetet e izoluar

Roli i Norvegjisë në rajon, është në përkrahje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit. Kështu deklaroi Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, gjatë një takimi që ka mbajtur me ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Sverre Johan Kvale.
Kosovës i nevojitet përkrahje që të mos mbetet e izoluar dhe ne e falënderojmë Norvegjinë për ndihmën e tyre në këtë drejtim, theksoi presidentja Jahjaga. Ajo gjithashtu shtoi se e ardhmja e tërë rajonit, përfshirë Republikën e Kosovës, është në BE dhe NATO.
Ambasadori i Norvegjisë, Kvale, u shpreh i kënaqur që ka shërbyer në Kosovë, duke përfaqësuar vendin e tij. Ai tha se Norvegjia do ta përkrahë Kosovën me programe zhvillimore, duke e ruajtur nivelin e mbështetjes aktuale. Norvegjia, sipas tij, do ta përkrah Kosovën edhe në rrugën e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian.