E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga Te crrenjoset korrupsioni

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të mos dorëzohen deri në çrrënjosjen e korrupsionit.

Në një takim të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga vetë Jahjaga, presidentja ka theksuar se askush nuk duhet të tentojë të akumulojë pasuri në mënyrë të paligjshme.

Sipas raportimit të “REL”, kryetarja e shtetit ka kërkuar nga organet hetimore jo vetëm denoncime të rasteve të korrupsionit, por edhe rezultate të hetimeve për të dëshmuar se kjo dukuri po luftohet seriozisht.

“Kosova synon integrimet euroatlantike, por fillimisht ajo duhet të çrrënjosë krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka deklaruar Jahjaga duke paralajmëruar rrezikun që u kanoset institucioneve nga ky fenomen.

“Nuk mund të ndalemi derisa të çrrënjosim këtë dukuri negative, derisa të krijojmë atë kod moral dhe ligjor, në mënyrë që askush të mos përfitojë përmes aferave korruptive”, ka shtuar presidentja.

Ndërkohë, kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi ka nënvizuar se që nga nënshkrimi i paktit me Agjencinë Kundër Korrupsionit, është regjistruar progres në luftimin e aferave korruptive.

Megjithatë, ai ka nënvizuar se AKK vuan nga mungesa e kuadrove që njohin aspektet ligjore dhe shpesh herë ngre çështje mbi bazën e hipotezave, që për institucionin e akuzës nuk janë të vlefshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›