Jahjaga – Nikoliq, për të inkurajuar kompromiset e reja

Takimi i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, dhe i presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, i paralajmëruar të ndodhë javën që vjen në Bruksel, nëse realizohen planet, shihet nga diplomatët evropianë si një përpjekje e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, për të zgjeruar mbështetjen për kompromise të reja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin në emër të BE-së është duke e lehtësuar pikërisht baronesha Ashton, shkruan “Koha Ditore”.
Edhe pse nuk e konfirmojnë zyrtarisht datën, në Bruksel pohojnë se “takimi Jahjaga – Nikoliq do të duhej të ndodhte gjithsesi para rundit të ri të dialogut Thaçi-Daçiq”.
“Tash kemi hyrë në fazën më të rëndësishme të dialogut, zgjidhjen e problemit të veriut. Tash kur priten vendime të vështira për të dyja palët. Çfarëdo mbështetje për dialogun dhe dy kryeministrat është i mirëseardhur”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Ai ka thënë se “kupton se për kryeministrin Thaçi është më lehtë, sepse presidentja Jahjaga atij gjithmonë i ka dhënë mbështetje të parezervë për dialog”, por shton se ndryshe është në rastin e raporteve ndërmjet kryeministrit serb dhe presidentit në Serbi./Indeksonline/