Parku i vonuar

Po bëhen tetë vjet që kur ka filluar të ndërtohet Parku i Biznesit në Drenas. Por as afro 10 milionë euro investimeve që janë bërë që nga viti 2005, kjo zonë nuk është funksionale.
Pjesa dërmuese e bizneseve që janë vendosur tashmë në këtë park, nga 33 biznese sa janë gjithsej, nuk kanë qasje as në rrymë e as në ujë.
“Ende punojmë me gjenerator, edhe pse para dy vjetësh u pre shiriti tu thanë se gjithçka është kry”, tregon një pronar biznesi, që tashmë ka filluar punën këtu.
Ai tregon se trafoja është vendosur afër aty, por ende nuk është rregulluar sistemi i rrymës komplet.
Për t’i kyçur bizneset me rrjet elektrik, Ministria e Tregtisë ka angazhuar këtë javë një kompani të re me tender publik, siç shkruan në njoftimin zyrtar:“Zgjerimi i kapaciteteve energjetike në Parkun e Biznesit në Drenas”.
Për punën që do të bëjë kompania “N.T.SH. Eling”, nga Prishtina, do të paguhet mbi 332 mijë euro.
Kjo punë sipas njohësve të ekonomisë llogaritet shtesë dhe do të ishte dashur të përfundonte shumë më herët, e jo tani pasi janë vendosur bizneset.
Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale - STRAS, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se Ministria e Tregtisë me këtë projekt po merret qe një kohë të gjatë pa e ditur çfarë të bëjë.
“Kur ka filluar ky park, tash është dashur të harrohet e jo të ketë investime shtesë. Këtu duket ministria i ka hyrë kësaj pune pa e ditur se ku do të dalë, pa e pasur të qartë kohën, standardet që do të zbatohen e as koston e tyre”, thekson Rexhepi.
Sipas tij, me ligj është obligim që kur të ndërtohet parku i këtij lloji, bizneseve duhet t’u sigurohet infrastruktura komplet.
Ndërkaq, këtu ai thotë se ka ndodhur e kundërta.
Në Ministrinë e Tregtisë nuk kanë dhënë arsye përse ka nevojë të shpenzohen mbi 300 mijë euro shtesë për punët që është dashur të kryhen shumë më herët.
Gjithashtu nuk kanë dhënë informacione se sa para janë shpenzuar për këtë projekt, që kurë ka filluar ndërtimi e deri më tani.
Në dhjetor të vitit 2010, zyrtarisht është prerë shiriti për lëshimin në punë të kësaj zone, duke pohuar në atë kohë zyrtarët institucionalë se gjithçka ishte në rregull karshi kërkesave të bizneseve, shkruan Express.
Në fund të viti të kaluar numri total i bizneseve që kanë nënshkruar kontratë me Ministrinë e Tregtisë për të marrë në shfrytëzim për 99 vjet hapësirën e nevojshme në Parkun industrial ka shkuar në 33.
Zyrtarët e këtij institucioni presin që brenda 24 muajve të arrijnë vlerën e investimeve në 30 milionë euro dhe numrin e të punësuarve afro një mijë.
Parku i Biznesit në Drenas shtrihet në kilometrin e 22-të përgjatë magjistrales Prishtinë – Pejë, në fshatin Koreticë e Epërme të Komunës se Drenasit. Në total përfshin një sipërfaqe prej 24 ha, të ndarë në 76 njësi: 33 njësi me sipërfaqe prej 1000 m2, 31 njësi me sipërfaqe prej 3000 m2 dhe 12 njësi me sipërfaqe prej 6000 m2./Indeksonline/