E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga për kapitull të ri me Serbinë

(E plotësuar) “Kosova dhe Serbia duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën dhe të hapin një kapitull të ri të marrëdhënieve si shtete të pavarura dhe sovrane, që respektojnë integritetin territorial dhe që respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të të dyja vendeve”.

Kështu ka deklaruar sot presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin e kryetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili ka zhvilluar punimet në Budvë të Malit të Zi.

Jahjaga ka thënë se normalizimi më i shpejtë i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të shtynte përpara agjendën evropiane të secilit vend.

Duke folur për marrëdhëniet rajonale, presidentja ka thënë se duhet intensifikuar bashkëpunimi në fushën e sigurisë, si dhe të ketë koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve përkatëse, në luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Nisi punimet Samiti i Budvës

Samiti katërt i Presidentëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Republikës së Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, nisi sot punimet në Budvë të Malit të Zi, fillimisht me takimet bilaterale ndërmjet delegacioneve të vendeve.

Presidentja Atifete Jahjaga, në takimet e ndara me Presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, bisedoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit dhe për krijimin e lehtësive për qytetarët e këtyre vendeve.

Në takimet bilaterale Presidentët e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor theksuan faktin se e ardhmja e përbashkët është integrimi në strukturat euro-atlantike dhe u vlerësua se rruga e integrimeve është më e lehtë duke bashkëpunuar ndërmjet vete.

Gjithashtu u diskutua për projektet e përbashkëta rajonale në infrastrukturë që do të mundësonte qarkullimin e lirë të mallrave dhe qytetarëve dhe do të ndihmonte vendet e rajonit të Ballkanit që të dalin së bashku në tregjet e treta.

Presidentët e katër vendeve pjesëmarrëse në Samit vlerësuan se fqinjësia e mirë është e një rëndësie të veçantë dhe theksuan faktin se Samiti do të duhej të zgjerohej edhe me pjesëmarrjen e shteteve të tjera, përfshirë edhe Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën që do të ndihmonte në relaksimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor.

Samiti i Presidentëve të katër shteteve të rajonit të Ballkanit po vazhdon me takimin e multilateral.

Jahjaga në Budvë, në Samitin e presidentëve të rajonit

Në Budvë të Mali të Zi, sot i fillon punimet Samiti i katërt i presidentëve të shteteve të rajonit, me temën ”Bashkëpunimi drejt zhvillimit-sfida dhe përgjigje”, ku do të merrr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Podgorica zyrtare ka njoftuar se presidenti serb Tomislav Nikolic, nuk do të marrë pjesë në samit për shkak të lirimit të Haradinajt nga Tribunali i Hagës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›