“Jam një dashnor i paepur i gjuhës shqipe”, Rama në Kuvendin Kombëtar: Nesër do të publikohet drafti i fjalorit të ri, do të hidhet për konsultim publik

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ditën e sotme mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Gjuhës Shqipe, i cili u mbajt një ditë para ditës së Alfabetit.
Data 22 nëntor përbën një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se ky Kuvend, është pjesë e rezistencës së mbrojtjes së gjuhës shqipe.
Ai bëri thirrje që të mos lejohet gjuha shqipe që të degradojë deri në pikën që s’ka kthim pas.
Ndër të tjera Rama tha se nesër do të publikohet drafti i ri i fjalorit shqip, ndërsa shtoi se do të hidhet në një konsultim më të gjerë publik.
Edi Rama: Të bëjmë çmos për të rezistuar, është e pamundur të jemi në sulm, pasi furia e kësaj barbarie, injorance është shumë e fortë. Është shumë e fortë dhe mbështetet në atë të vërtetën e thjeshtë që populli e ka thënë me dy fjalë; kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta s’ka vendosur ende pantallonat. Edhe ky kuvend është pjesë e kësaj rezistence. Sot mungon edhe dikush tjetër, një lëvrues i gjuhës shqipe, Ismail Kadare. E kujtoj në ato biseda që kam pasur fatin t’i kem pasur me atë. Kishte ankth kishte për sulmet që i bëheshin gjuhës shqipe. Më në fund pas gjysmë shekulli fajlori do të përditësohet falë punës së Akademisë së Shkencave në pjesëmarrje të akademikëve të mëdhenj.
Nesër do të publikohet drafti i këtij fjalor, them draft pasi fjalori do të hidhet në një konsultim të gjerë publik. Do të merren të gjitha opinionet, sugjerime, vërejtje që me gjasë do e konsolidojnë. Ne jemi nën agresionin e barabarësisë të injorantëve. E kemi detyrim të patjetërsueshëm që të jemi në mbrojtje dhe që të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit.
Unë besoj që nuk është fare detyra e politikës dhe e asnjë politikani të hyjë në këtë territor dhe aq më pak të kontribuojë në atë që politika duhet të bëjë. Patëm një orë të errët në historinë tonë bashkëkohore. Në 100-vjetorin e Pavarësisë Kuvendi inicioni një proces për të hapur debate që vendet e tjera të civilizuara i kanë mbyllur prej shekujsh.
Pa qenë në gjendje ta mbyll me një thënie të njërit prej 36 atdhetarëve të Manastirit, dua ta mbyll me një albanolog të huaj, Maksimilian Lamberc, i cili shkruan se “historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm atëherë kur shqiptarët të lejohen të shkruajnë historinë e tyre.”
U bënë shumë vite që nuk na pengon askush ta shkruajmë historinë tonë, por është dikush që nuk na lë ta shkruajmë historinë tonë, që jemi ne. Në këtë përballje me vetveten po përpiqemi siç bëmë me fjalorin që të mbështetim Akademinë e Shkencave për të shkruar librin e madh të historisë së shqiptarëve. Jam një dashnor i paepur i gjuhës shqipe, por që nuk pretendoj dot se jam si të gjithë burrat dhe gratë që janë me certifikatë të gjuhës. Mendova që do bëja një fjalim më të shkurtër se zakonisht, por nuk ia dola./vizionplus.tv