Janari, muaj i vështirë emocionalisht, psikiatrit këshillojnë si të përballohet gjendja e rënduar: Konsultohuni me specialistin

Janari njihet shpesh si një nga muajt më sfidues për shëndetin mendor. Pas atmosferës festive të fundvitit, rikthimi në rutinë, ditët e shkurtra dhe temperaturat e ulëta ndikojnë te shumë njerëz, duke shkaktuar lodhje, apati, ankth apo simptoma depresive.
“Episodet depresive janë më të shpeshta në këtë periudhë. Njihet edhe sindroma depresive stinore ose sindroma afektive stinore, për shkak të shfaqjes së simptomave depresive te personat e predispozuar, si edhe te ata që pas gjallërisë së festave përballen sërish me boshllëkun, mungesën e aktiviteteve dhe të personave të afërt”, tha mjekja psikiatre Nikolina Bode.
Mjekja psikiatre Nikolina Bode jep disa këshilla kryesore për ta kaluar më lehtë këtë periudhë.
“Duhet të jemi të vëmendshëm nëse na shtohen orët e pagjumësisë, nëse kemi luhatje humori, mendime negative apo ndryshime të oreksit, dhe në këto raste të jemi në kontakt me profesionistët.”
Psikiatrit theksojnë se konsultimi me specialistin nuk duhet parë si tabu, por si një hap i domosdoshëm për mirëqenien personale.
Specialistët apelojnë që shëndeti mendor të trajtohet me të njëjtin seriozitet si ai fizik, ndërsa theksojnë se trajtimi i hershëm është çelësi për të shmangur përkeqësimin e gjendjes.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/