“Janë ulur kallëzimet nga Policia e Shtetit”, Dumani tregon në KLP punë e SPAK gjatë 2024: Kemi patur presion të jashtëm ndaj institucionit!

Kreu i SPAK, Altin Dumani po raporton këtë të hënë në KLP punën e bërë për gjatë vitit 2024.
Ai tha gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë se pothuajse janë përgjysmuar kallëzimet nga Policia e Shtetit, në krahasim mes viteve 2023 dhe 2024, ndërsa theksoi se më shumë referime dhe kallëzime janë bërë nga qytetarët.
Altin Dumani: Kallëzimet e nisura nga qytetarët janë tregues i rritjes së besimit ndaj SPAK-ut. Ndërsa vihet re një ulje e numrit të kallëzimeve nga Policia e Shtetit.
Masat e sigurimit janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Aktualisht, 9.5% e totalit të të paraburgosurve janë nën juridiksionin e SPAK-ut. Nga mbi 2 mijë të paraburgosur, mbi 200 janë të proceduar nga SPAK.
165 persona janë dënuar pas procedimeve të kryera nga SPAK. Ka përfunduar gjykimi në themel për 54 çështje, ndërsa për të tjerat vijon hetimi. Janë ekzekutuar 79 vendime penale të formës së prerë. Janë sekuestruar 28.7 milionë euro. Aktualisht janë në proces 145 çështje me 765 persona të pandehur, ndërsa për 91 çështje vijon gjykimi.
Altin Dumani renditi edhe problematikat e SPAK.
Dumani: Problematikat një pjesë e trashëguar ndër vite:
- Presioni i jashtëm ndaj institucionit, i cili shpesh është gjendur mes sulmeve dhe debateve.
- Përcaktimi i statusit të prokurorëve pas përfundimit të mandateve.
- Mungesa e këshilltarëve ligjorë.
- Numër i ulët i referimeve nga institucionet publike.
- Mungesa e një njësie të posaçme të analizës.
- Mungesa e ekstradimit të shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke marrë në konsideratë edhe shtimin e personave që kërkohen për ekstradim nga ky shtet.
/vizionplus.tv