E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti vjetor, Altin Dumani në KLP: Të rritet kufiri prej 50 mijë lekësh korrupsion që heton SPAK

Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit në KLP për punën e bërë gjatë vitit 2024 u shpreh se janë përballur me krime jo vetëm të lidhura me krimin e organizuar, por edhe të natyrës korruptive.

Ai u shpreh se numri prej 20 prokurorësh është i mjaftueshëm, duke marrë parasysh gjendjen aktuale të prokurorive.

Dumani theksoi se ka nevojë të rritet kufiri prej 50 mijë lekësh korrupsion që heton SPAK.

Altin Dumani: Kemi krime jo vetëm të lidhura me krimin e organizuar, por edhe të natyrës korruptive, për të cilat u kemi dorëzuar autoriteteve të huaja kërkesa për bashkëpunim. Megjithatë, këto procedura kanë hasur në vonesa. Numri prej 20 prokurorësh është i mjaftueshëm, duke marrë parasysh gjendjen aktuale të prokurorive. Nuk mund të kërkojmë shtimin e numrit të prokurorëve në një sistem që vetë ka ende mangësi. Lajmi i mirë është shtimi i agjentëve të BKH-së me 40 të tjerë, përveç 60 që janë aktualisht. Kjo do të mundësonte një zgjidhje më të shpejtë të çështjeve.

Sa i përket pragut prej 50 mijë lekësh, mendoni se është i përshtatshëm? Unë e kam deklaruar edhe publikisht se ka nevojë për ndryshimin e këtij kufiri monetar. Shuma prej 500 eurosh është simbolike. Mendoj se SPAK nuk është krijuar për të hetuar shuma të tilla, por për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë.

Ekzekutimi i masave të sigurimit është përgjegjësi e Policisë së Shtetit. Ne bashkëpunojmë ngushtë me ta. Aktualisht, numri i personave të hetuar pa masë sigurimi “arrest në burg” është në nivelin e 40%. Jemi të detyruar të kërkojmë këtë masë sigurimi, sidomos në rastet që lidhen me krimin e organizuar.

Sa i përket çështjeve të hetuara për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera, janë gjithsej 31 persona nën hetim. Ky është një numër relativisht i vogël i personave për të cilët është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg”. Ne jemi të kujdesshëm. Edhe prokurorët janë treguar të kujdesshëm kur kërkojnë masa të tilla sigurimi.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›