E Shtunë, 31 Tetor 2026

Januzi: Miqësoret rast për t’u dëshmuar

Kombëtarja shqiptare po zhvillon përgatitjet për dy ndeshjet e radhës miqësore kundër Azerbajxhanit (11 nëntor) dhe Maqedonisë (15 nëntor) nën drejtimin e ish ndihmësit të Josip Kuzes, tani selektori i përfaqësueses U17, Dzemal Mustedanagiç.

Për këto dy ndeshje, Shqipëria ka ftuar disa lojtarë të rinj pasi po synon të ndërtojë një ekip me lojtarë të rinj për eliminatoret e kampionatin botëror ‘Brazili 2014’. Këtë e tregon fakti se jashtë ekipit janë lënë Ervin Skela, Edmond Kapllani, Klodian Duro e Altin Lala.

Sulmuesi kosovar Ahmed Januzi, i cili ka zhvilluar vetëm tri ndeshje me ekipin kuqezi, ka thënë se dy miqësoret e radhës janë rast i mirë që lojtarët e rinj të dëshmojnë vetën.

“Është një ndër ndeshjet ku mund t’u jepet rasti më shumë lojtarëve të rinj si unë. Besoj se do të jap maksimumin që të tregoj veten”, ka thënë anëtari i Vorskla, i cili këtë sezon po shkëlqen në kampionatin ukrainas dhe Europa League.

Edhe Kostner, kandidat për Shqipërinë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ende nuk është përcaktuar për pasardhësin e Josip Kuzes. Nëpër mediat shqiptare vazhdojnë të qarkullojnë emra të ndryshëm rreth trajnerit të ri të ekipit kuqezi. Tash thuhet se trajneri gjerman Lorenz-Gunter Kostner është kandidati për të marrë drejtimin e Kombëtares. Gjermani 59-vjeçar mësohet se të hënën ka qenë në Tiranë për të biseduar për detajet e kontratës, por nuk bëhet e ditur ende nëse është arritur ndonjë marrëveshje me presidentin Armand Duka. Kandidatë për ta drejtuar ekipin kuqezi mbeten edhe Matjaz Kek, Bojan Prasnikar, Javier Clemente, Srecko Katanec e Manolo Jimenez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›