E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Japonia lëshon ujin e centralit bërthamor të Fukushimës në oqean, Kina proteston

Japonia filloi të enjten të shkarkojë në Oqeanin Paqësor ujin e mbledhur ndër vite nga centrali bërthamor i Fukushimës, me gjithë kundërshtinë e Kinës.

Një video e operatorit të centralit, TEPCO, tregoi dy inxhinierë para kompjuterit dhe pas numërimit mbrapsht u njoftua se “u hapën valvulat e pompave që e transportojnë ujin”.

Kompania ka akumuluar rreth 1 mijë kontejnerë me ujë të pastruar nga elementet radioaktive, edhe pse jo tërësisht, por prej vitesh ka paralajmëruar problemin se nuk ka më hapësirë për ta magazinuar të gjithë sasinë.

Deri tani është mbledhur rreth 1,34 milionë metër kub ujë nga reaktorët e ftohur të centralit të Fukushimës, i cili ka dalë jashtë shërbimit prej vitit 2011, si pasojë e tërmetit dhe cunamit, që shkaktoi atëherë mbi 18 mijë viktima në vend.

Pjesëtarë nga OKB-ja për çështjet atomike ishin po ashtu në terren, ndërsa vetë Japonia ka theksuar se uji që po lëshohet në oqean nuk përbën rrezik për gjallesat nënujore.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit e Kinës e quajti të enjten veprimin e palës japoneze “jashtëzakonisht egoist dhe të papërgjegjshëm” dhe se do të “gjurmojë e studiojë” ndikimin në mjedis.

Autoritetet doganore kineze po ashtu njoftuan ndalimin e importit të të gjitha produkteve të detit me origjinë nga Japonia për të “parandaluar rrezikun ushqimor që vjen nga uji me përbërje bërthamore” i derdhur gjatë ditës në oqean.

Dhjetëra ambientalistë gjithashtu protestuan jashtë zyrave të TEPCO-s.

Operatori i centralit bërthamor ka thënë se shkarkimet e ujit në oqean do të ndahen në katër faza, nga të cilat kjo e tanishmja do të zgjatë për 17 ditë.

Uji i mbledhur aktualisht pritet të shkarkohet deri në marsin e vitit 2024, ndërsa zbrazja e gjithë sasisë nga centrali mund të zgjatë 30 vite. /AFP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›