Nafta shqiptare/ Kemi sasinë më të madhe të naftës në Europë në raport me popullsinë

Shqipëria është prodhuesi më i madh i naftës bruto në Ballkanin Perëndimor sipas Institutit të Energjisë për Evropën Juglindore.
Shoqata Shqiptare e Energjisë vlerëson se vendi ka rezerva relativisht të larta nafte deri 400 milionë tonë.
Puna e mirëfilltë shkencore ka nisur pas krijimit të shtetit të ri shqiptar që në vitin 1913.
Ishin italianët ata që regjistruan daljet e naftës në perëndim të Kuçovës, në Selenicë, në Patos.
Viti 1925 shënoi edhe zgjimin e interesit të kompanive europiane për arin e zi në Shqipëri, ku në formën e koncesioneve ata nxorën naftë e gaz nga Tepelena, Memaliaj e deri në Shkumbin.
Në vitet 1950, prodhimi i naftës u rrit së tepërmi. Gjatë kësaj periudhe u ndërtua edhe kantieri i Patosit dhe deri në vitet 1970–75 u zbuluan mjaft vendburime nafte, tashmë nga shqiptarët.
Prodhimi maksimal në vendin tonë u arrit në vitin 1974 prej afërsisht 2 milionë e 100 mijë tonë në vit.
Ndërkohë që më 22 gusht të këtij viti erdhi edhe lajmi që në zonën e Shpiragut është arritur të preket naftë në thellësinë 6,2 kilometra. Analizat tregojnë se produkti është i një cilësie premium.
Në këndvështrimin historik, Zona e Shpiragut është konsideruar me perspektivë naftë- dhe gazmbajtëse. Në vitet 1970 deri 1990 u kryen punime gjeologjike dhe sizmike, të cilat përforcuan bindjen gjeologjike për këtë strukturë.
Bazuar në këto punime, kompania Shell ia ka kërkuar zonën Qeverisë shqiptare. Shell pritet të kryejë edhe një testim provë në muajin tetor për të pasur informacione më të sakta.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/