Japonia miraton buxhet mbrojtje rekord, rritja mes tensioneve me Kinën

Japonia ka miratuar një buxhet rekord për mbrojtjen, në vlerën e 58 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2026. Vendimi vjen në një kohë tensionesh të shtuara me Kinën.
Sipas agjencisë Kyodo, ky është buxheti më i madh i mbrojtjes në historinë e vendit. Në të përfshihen edhe shpenzimet për bazat ushtarake amerikane që ndodhen në Japoni. Viti fiskal 2026 është viti i katërt i planit pesëvjeçar për forcimin e mbrojtjes kombëtare.
Brenda këtij plani janë parashikuar fonde për sistemin bregdetar të mbrojtjes “Shield”. Ky sistem do të mbulojë hapësirën ajrore, detare dhe nënujore të vendit. Japonia po investon edhe në dronë për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore. Janë ndarë fonde edhe për mbrojtjen e satelitëve dhe sigurinë në hapësirë.
Në këtë kuadër, Forca Ajrore do të riemërtohet në Forcë Ajrore dhe Hapësinore. Buxheti parashikon edhe blerjen e raketave hipersonike për aftësi kundërsulmi.
Qeveria japoneze thotë se këto masa synojnë rritjen e sigurisë kombëtare.
Forcimi i mbrojtjes së Japonisë vjen teksa tensionet me Kinën janë përshkallëzuar që nga 7 nëntori, kur kryeministrja japoneze deklaroi se një sulm kinez ndaj Tajvanit mund të përbënte ligjërisht një “situatë kërcënuese për mbijetesën”, duke i lejuar potencialisht Japonisë të ushtrojë të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive.
Deklaratat e saj shkaktuan reagim të ashpër në Pekin, me Kinën që këshilloi kundër udhëtimeve drejt Japonisë dhe rivendosi ndalimin e importeve të produkteve të detit, ndër masa të tjera kufizuese.
/rtsh.al/