Japonia, pajisje e aparatura për 14 qendra urgjence
LUSHNJE – Qendrat rajonale të urgjencës në vend do të kenë pajisje e aparatura mjekësore moderne, falë një granti të qeverisë japoneze. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka qenë i pranishëm në dorëzimin e pajisjeve mjekësore në Urgjencën e Lushnjës. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm dhe përfaqësuesi i Ambasadës Japoneze për Shqipërinë, Yuzo OTA, si dhe përfaqësuesi resident i JICA, (Agjensia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar) për rajonin e Ballkanit, Satoru Kurosaëa. Qeveria japoneze e ka miratuar projektin me një vlerë prej 718 milionë jenësh (të barasvlefshme me 6.145.155 euro) për modernizimin e qendrave rajonale të urgjencës në të gjithë vendin. Falë tij janë siguruar pajisje mjekësore për urgjenca, pajisje te imazherisë, pajisje për laboratorë klinikë si dhe auto-ambulanca. Në bazë të strategjisë për reformimin e urgjencave mjekësore të vitit 2007, qeveria shqiptare vendosi krijimin e një sistemi të urgjencave mjekësore dhe përmirësimin e qendrave të urgjencave në spitalet rajonale, me qëllim ofrimin e një shërbimi bazë të qendrave të urgjencës në të gjithë vendin. Për këtë iu kërkua një grant qeverisë japoneze, e cila e aprovoi projektin një vit më parë. Pajisje mjekësore, si auto-ambulanca me pajisje të avancuara për shpëtimin e jetës, CT skanera, monitorë të parametrave jetësore, pajisje imazherie për diagnostikim etj., janë dhuruar për Spitalin Pediatrik në Tiranë, spitalet rajonale të Kukësit, Lezhës, Dibrës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Beratit, Vlorës, Gjirokastrës dhe Korçës, në spitalet e qyteteve Lushnjë dhe Sarandë si dhe në Qendrën Shpërndarëse të Urgjencës Mjekësore në Tiranë. m.r